Gjykata Speciale

Avokati i Selimit i befasuar me Prokurorinë: Masakrave po iu adresohen veç si “ngjarje”


Geoffrey Roberts

Avokati mbrojtës i Rexhep Selimit, Geoffrey Roberts, në fjalën e tij hyrëse para trupit gjykues në Hagë, tha se prokuroria ka dështuar të përmend krizën ekzistenciale në të cilën gjendeshin shqiptarët e Kosovës, të cilët vendosën të nisnin luftën për liri.

Ai po ashtu tha se gjatë deklaratë hyrëse të Zyrës së Prokurit të Specializuar, iu referuan masakrave në Kosovë, sikurse ajo në Prekaz të Skenderajt “si ngjarje” dhe sipas tij, ky mohim i krimit të serbëve ndaj shqiptarëve “nuk është asgjë tjetër veçse manipulim i ZPS-së”.

Roberts tha se pretendimet ZPS-së se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte një ushtri me hiearki të mirëorganizuar dhe me strukturë funksionale, nuk qëndrojnë, ngase siç tha ai, ka pasur “aspiratë të individëve për të qenë të organizuar”, por nuk përkonin me “realitetin e situatës në terren”.

Ai ka përmendur edhe shpërpjestimin e fuqisë në kohën e luftës mes UÇK-së dhe Serbisë, duke shtuar se kur të mbaroj ky proces gjyqësor, këto “copëza të panoramës do të ofrojnë vetëm një imazh të shtrembëruar konspirativ”.

“Mjafton të bëhet vetëm kontrasti mes UÇK-së dhe forcave të armatosura serbe të kohës, një ndër më të mëdhatë në Evropë për nga numri i trupave, me një personel aktiv për rreth 140 mijë trupash të mbështetur nga 400 mijë rezervistë”.

“Ndërsa forcat serbe ishin të pajisura me avionë luftarakë, tankse dhe artileri, UÇK-ja kishte vetëm pushkë dhe bomba të improvizuara. Derisa Serbia kishe ushtarë me përvojë në terren të mësuar me ashpërsinë e betejave të përgjakshme në Bosnjë-Hercegovinë dhe Kroaci, UÇK-ja kishte vullnetarë…”, tha ai.

Ai ndër të tjera shtoi se krimet e pretenduara për të cilat akuzohet Selimi përbëjnë ngjarje të izoluara dhe të rastisshme kundër individëve të caktuar dhe se ai thjeshtë nuk ka pasur asnjë lidhje me to.

“Personat përgjegjës janë ata të cilët e kanë kryer fizikisht veprën ose kanë qenë drejtpërdrejtë përgjegjës për urdhërimin e saj. Thënë thjeshtë, krimet e kryera në luftë, jo medoemos janë rezultat i një plani apo politike edhe nëse ato janë realitivisht të shumta në numër”, përfundoi Roberts.

Selimi: S’kam të bëj asgjë me krimet e pretenduara, aktakuza s’ka fakte dhe argumente

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore