Lajme

Avokati i Popullit po heton 676 ankesa për shkelje të të drejtave të njeriut në Kosovë


Institucioni i Avokatit të Popullit

Avokati i Popullit i ka dorëzuar Kuvendit të Republikës së Kosovës, raportin vjetor për vitin 2022.

Gjatë këtij viti raportues, Institucioni i Avokatit të Populllit ka bërë të ditur se ka pranuar 1 mijë e 602 ankesa nga qytetarët e Kosovës.

“Numri më i madh i ankesave të qytetarëve kishin të bënin me organet e drejtësisë, që është në nivel të ngjashëm si në vitet e mëparshme. Pastaj ankesat për shkeljen e së drejtës për kujdes shëndetësor, për të drejtat e punës, për mbrojtje sociale, për të drejtën e pronës, dyshimet se janë të diskriminuar, etj”.

“Nga 1 mijë e 602 ankesa, 910 janë cilësuar si të papranueshme, ndërsa 676 ankesa janë vendosur si të pranueshme për hetim, dhe 16 raste tjera janë në shqyrtim”, thuhet në komunikimin publik të zyrës së Avokatit të Popullit.

“Prej ankesave të pranueshme për hetim, 23 për qind prej tyre janë ankuar për shkelje të të drejtës për të pasur një gjykim të drejtë e të paanshëm. 21 për qind kanë të bëjnë me të drejtën për mjete juridike, ndërsa 12 për qind e ankesave kishin të bënin me të drejtën e punës, e kështu me radhë”.

Sipas detyrës zyrtare, Avokati i Popullit ka bërë të ditur se ka nisur të shqyrtoj 42 raste, prej të cilave 16 janë nga raportimet në media.

“Raporti përmban rekomandime për autoritetet përgjegjëse për çështjet që janë trajtuar nga Avokati i Popullit, por edhe opinione dhe propozime për ndërmarrjen e masave për të kontribuar dhe vetëdijesuar në ngritjen e respektimit të të drejtave të njeriut”.

Ky raport vjetor i Avokatit të Popullit pritet që të shqyrtohet nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, në një seancë plenare në të ardhmen, asht siç parashihet me ligj për Avokatin e Popullit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore