Lajme

Avokati i Populli po analizon nëse përjashtimi i veteranëve nga ligji i pagës është shkelje


Ilustrim

Institucioni i Avokatit të Popullit, sot e kësaj dite nuk ka pranuar asnjë ankesë lidhur me Projektligjin për pagën minimale, i miratuar në parim, por bënë të ditur se me shqetësim janë duke i ndjekur kundërshtimet karshi ndryshimeve që ka përfshirë ky proces.

Sipas Avokatit të Popullit, Naim Qelaj, institucioni i cili ai e drejton janë duke e analizuar procesin e hartimit të këtij projektligji dhe se në ditët në vijim do të dalim me një qëndrim lidhur me këtë.

“Ne si institucion jemi duke e vlerësuar dhe duke analizuar të gjithë procesin e hartimit apo përpilimit të këtij akti ligjor dhe procedurave që janë zbatuar deri në ndryshim të tij. Padyshim që ditëve në vijim do të dalim me një qëndrim sepse për ne është shumë me rëndësi të shohim se çdo ndryshim ligjor a përcillet me trajtim të barabartë të qytetarëve dhe a krijon rrethana të gjithëpërfshirjes”.

“Jemi duke e parë a ka shkelje ose jo dhe nëse ka shkelje dhe trajtim të pabarabartë padyshim që do të reagojmë me kohë”, u shpreh ai, për Kosova Press.

Ndryshe një javë më parë kryeministri Albin Kurti, ishte takuar me përfaqësuesit e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Takimi ishte si rrjedhojë e protestës së veteranëve, të cilët të enjten e 16 qershorit, rrethuan ndërtesën e Qeverisë për të shprehur pakënaqësitë lidhur me mos përfshirjen e kësaj kategorie në Projektligjin për pagën minimale, i cili u miratua në lexim të parë në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore