Lajme

Autoritetet turke në punë për operimin e aeroportit të Kabul-it


Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Çavuşoğlu, ka deklaruar të martën e 7 shtatorit se autoritetet turke po punojnë me Katar-in dhe Shtetet e Bashkuara për operimin e aeroportit të Kabul-it.

Sipas Çavuşoğlu-s, siguria e aeroportit ishte çështja kryesore dhe po bisedojnë me talebanët.

Çavuşoğlu i tha transmetuesit turk “NTV” se 19 teknikë turq ishin në Kabul, për të zhvilluar bisedime me katariasit për aeroportin.

Turqia zyrtare ka kërkuar garanci për njësitë e saj nga talebanët. Në të kundërt ajo nuk do të merrte pjesë në misionin e aeroportit.

Çavuşoğlu tha se talebanët mund të garantojnë siguri jashtë aeroportit, por ata do të kenë nevojë për një mekanizëm më të besueshëm brenda.

Mediat turket shkruajnë se një kompani private e sigurisë mund të përdoret për misionin. Kjo, nëse talebanët këmbëngulin që të mos kenë fuqi të huaja në Afganistan, tha ndër të tjera Çavuşoğlu.

“Vrull pozitiv në bisedimet me Emiratet e Bashkuara Arabe”

Ministri turk shtoi gjithashtu në deklaratën e tij për mediat se kishte një vrull pozitiv në diskutimet e Turqisë me Emiratet e Bashkuara Arabe.

Kjo, për t’i dhënë fund një përçarje shumëvjeçare. Sipas Çavuşoğlu-s, lidhjet mund të kthehen në rrugën e duhur nëse ruhet ky vrull.

Ministri nënvizoi se “lidhjet midis të dy shteteve mund të normalizohen nëse ka hapa reciprokë dhe kushtet janë të përshtatshme”.

Antony Blinken

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) po “punojnë ngushtë” me aleatët e saj në Turqi-Katar për rihapjen e shpejtë të Aeroportit Ndërkombëtar të Kabul-it “Hamid Karzai”.

Lajmin e bёri tё ditur Sekretari i Shtetit tё SHBA-ve, Antony Blinken.

“Ne po punojmë ngushtë me partnerët tanë Katarin dhe Turqinë për të ndihmuar në funksionimin sa më të shpejtë të aeroportit në Kabul”, u tha ai gazetarëve.

Blinken dhe Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin do të vizitojnë Katar-in në një përpjekje të përbashkët për të falënderuar mbretërinë për përpjekjet e saj të vazhdueshme në Afganistan, sipas njoftimeve të tyre më 3 shtator.

Draft-marrëveshja

Erdogan tha gjatë një fjalimi televiziv – të premten e 27 gushtit – se talebanët i kishin ofruar Turqisë mundësinë për të drejtuar aeroportin, por vazhdoi të këmbëngulte në garantimin e sigurisë me luftëtarët e saj.

Pikat kryesore të draft marrëveshjes përfshijnë; Turqia njeh talebanët si qeveri legjitime të Afganistanit; Turqia dhe Katari operojnë aeroportin nëpërmjet një konsorciumi; Ankaraja garanton sigurinë përmes një firme private, stafi i së cilës do të përbëhet nga ish ushtarë dhe policë turq; pjesëtarët shtesë të forcave speciale turke, që veprojnë me rroba për të siguruar stafin teknik turk, nuk largohen nga perimetri i aeroportit.

Një çështje e pazgjidhur në rrugën e marrëveshjes është se ish-qeveria afgane tashmë i kishte dhënë një kontratë për aeroportin tetorin e kaluar një konsorciumi me bazë në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Talebanët do të duhet të përfundojnë një marrëveshje të veçantë me ta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore