Kosova

Austri: Aksidentohet autobusi me pasagjerë nga Kosova, 20 të lënduar


Një autobus me pasagjerë nga Kosova është aksidentuar në orët e para të së enjtes në autostradën perëndimore në Eugendorf të Austrisë, afër qytetit të Salzburgut.

Sipas informacioneve fillestare, të raportuara nga agjencia e lajmeve austriake APA, raportohet për rreth 20 persona të lënduar.

“Aktualisht dimë për tre të lënduar rëndë dhe 16 të lënduar lehtë”, tha zëdhënësja e Kryqit të Kuq Roberta Thanner për APA.

“Aktualisht nuk kemi raporte për viktima”.

Aksidenti raportohet se ka ndodhur rreth orës 03:00 mes nyejve Salzburg-Nord dhe Wallersee në drejtim të Vjenës.

Ky seksion rrugor është aktualisht një kantier ndërtimi me trafik që vjen përballë. Autobusi me rreth 25 pasagjerë, raportohet se mund të jetë përplasur në parmakun qendror të betonit për arsye ende të paqarta zyrtarisht, ka deklaruar zëdhënësi i policisë Hans Wolfgruber.

“Në automjet ishin rreth 25 persona,” tha komandanti i shpëtimit të qarkut Hermann Gerstgraser.

Sipas tij, tre persona kanë mbetur të plagosur rëndë dhe 16 të tjerë kanë pësuar lëndime të lehta. Të gjithë u dërguan në spitalin e aksidenteve dhe spitalin shtetëror në Salzburg me autoambulanca.

“Për tetë personat që nuk patën lëndime, aktualisht po kujdeset ekipi i ndërhyrjes në krizë në selinë e qytetit tonë”, tha Gerstgraser.

Autobusi po udhëtonte nga Kosova për në Hanover.

“Këta janë turistë që vijnë nga Kosova”.

Raportohet se në vendin e ngjarjes kanë dalë zjarrfikësit dhe ndihma e parë.

Brigadat e zjarrit erdhën me rreth 60 vullnetarë në tetë automjete, dhe Kryqi i Kuq mbërriti me rreth 50 ndihmës në 14 automjete.

Autobusi i dëmtuar ishte ende në vendin e aksidentit rreth orës 06:00, për këtë arsye Westautobahn ishte i pakalueshëm në këtë zonë. Automjeti pritet të tërhiqet herët në mëngjes. Ende nuk dihen shkaqet e aksidentit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore