Lajme

“Asociacioni kyç”, Escobar: Janë edhe dy kushte për Këshillin e Evropës


Keshilli i Evropes

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kur urdhëroi Agjencinë Kadastrale që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit, pra bartjen e 24 hektarëve tokë këtij objekti fetar, tha se këtë po e bën për shkak të anëtarësimit të vendit në Këshillin e Evropës, mirëpo për t’u anëtarësuar Kosova në këtë organizëm ndërkombëtar duhet që t’i plotësojë edhe dy kushte të tjera, ndër të cilat themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Të paktën kështu ka deklaruar i Dërguari Special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një intervistë për “Radio Evropa e Lirë” të premten.

Radio Evropa e Lirë: Një gjë e mirë që ndodhi këtë javë – të paktën QUINT-i e ka mirëpritur – është vendimi për Manastirin e Deçanit. Sa do të jetë vendimtar në rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës?

“Tani, janë dy kushte të tjera që i kishte përmendur Këshilli i Evropës dhe që po i kërkojnë disa vende evropiane. Njëri është… [ka të bëjë] me disa veprime për shpronësimet që po bëhen në Veri. Dhe, tjetri është Asociacioni”, deklaroi Escobar.

I pyetur se a do të lobojë shteti i tij për Kosovën për këtë anëtarësim, pas acarimit të raporteve në mes të dy shteteve për shkak të refuzimit të ekzekutivit kosovar për t’i dëgjuar kërkesat e tyre, ai tha se janë duke i vlerësuar të gjitha opsionet.

“Neve ende na duhet Asociacioni, ai është kyç. Dhe, kur të flasim për zgjerim, do t’ju shpjegoj pse Asociacioni është kaq i rëndësishëm”, shtoi.

Këshilli i Evropës: Asociacionin, manastiret dhe respektimin e pavarësisë së gjyqësorit – nëse doni anëtarësim këto janë kushtet

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore