Lajme

“Asociacioni i 2013-ës ka vdekur – Rama para se të flasë të konsultohet me Kosovën”, thotë Gërvalla


Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, njëherësh edhe zëvendëskryeministrja e Kosovës Donika Gërvalla, ka deklaruar se as në marrëveshjen e Brukselit e as në atë të Ohrit nuk është lidhur marrëveshje me Serbinë për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Ajo ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që kur të kërkojnë Asociacionin, të flasin edhe për Urën e Ibrit që është pjesë e marrëveshjes.

“Nëse ata flasin për Asociacionin, përse Bashkimi Evropian nuk flet asnjëherë për urën e Ibrit që është pjesë e marrëveshjes. Një gjë duhet të jetë e qartë as në Bruksel dhe as në Ohër nuk kemi lidhur marrëveshje rreth Asociacionit, madje fjala Asociacion nuk përmendet në asnjë shkronjë”, ka thënë Gërvalla gjatë intervistës në Top Channel.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.

Gërvalla, deklaroi se pas ngjarjes së 24 shtatorit në Veri, diskutimet për Asociacionin s’kanë vend.

“Të them të drejtën pas të dielës çdo bisedë për Asociacionin më duket e tepërt se pas te dielës nuk kanë kuptim. Asociacioni i vitit 2013 ka vdekur jo vetëm për ne por edhe për ndërkombëtarët, të koordinojmë punën e komunave në Veri të Kosovës është dallim tjetër”.

Gërvalla, Ramës: Para se të japë rekomandime, të këshillohet me ne

Gjatë intervistës, Gërvalla kërkoi nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, që para se të propozoj ide të konsultohet me Kosovën.

Sipas saj, kjo deri tani “asnjëherë nuk ka ndodhur”.

“Kryeministri shqiptar para se të japë rekomandime duhej të këshillohej me politikanë e miq, që të nxirrte konkluzione. Gjë që nuk ka ndodhur”, u shpreh Gërvalla.

“Nuk ka asnjë dilemë që institucionet janë të afta për të ruajtur sovranitetin. Policia e Kosovës nuk ka qenë hakmarrëse, as ndaj terroristëve, as ndaj manastirit por përkundrazi kanë shkuar në shtëpitë e qytetarëve dhe u kanë dhënë ushqim”.

Donika Gërvalla dhe Edi Rama.

“Lajçak s’mund të sjell sukses në procesin e dialogut”

Gërvalla, ka theksuar se mënyra se si udhëheq i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për Dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, Miroslav Lajçak nuk mund të sjell sukses në këtë proces.

“Në mënyrën se si udhëheq Lajçak, është një proces që nuk mund të sjell suksese Nuk po flas që Kosovës duhet t’i realizohen të gjitha, por po flas që duhet të jetë një qasje e balancuar, kjo nuk mund të ndodh me këtë ekip”.

Ajo ka arsyetuar BE-në që nuk po ndërmerr hapa ndaj Serbisë, duke thënë se po mundohet ta largoj Serbinë nga Rusia.

Por, që një gjë e tillë nuk mund të bëhet duke dëmtuar vendet e rajonit

“Unë mendoj që përpjeka për ta larguar mundësisht Serbinë nga Rusia. Nuk është sekret që Serbia është aleati i vetëm i Rusisë në Evropë, përjashto Bjellorusinë. Nuk mund të krijohet largimi i Serbisë nga Rusia, duke dëmtuar vendet e tjera të rajonit”.

Fotografi: Virginia Mayo/AP/picture-alliance

Ndërsa ka folur edhe për përballjen që e kishte pasur me ministrin e jashtëm serb Ivica Daçiç, në këshillin e sigurimi të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), në prill të këtij viti.

Ajo ka bërë të ditur se gjatë kohës kur ajo fliste, “fyhej vazhdimisht nga ministri i Serbisë”.

“Ndërkohë që unë kam folur ministri i Jashtëm serbe, hidhte fjalë të pista ndaj meje aty në sallën e këshillit të sigurimit të OKB-së në mënyrë që të më shpërqendroj dhe të nis të flas me të”.

“Më 27 shkurt dhe me 18 mars, menduam që marrëveshja do të firmoset”

Ministrja potencoi se një gjë është e pandryshuar në Qeverinë në të cilën ajo bën pjesë kërkesë do të mbetet vetëm njohja reciproke në negociata me Serbinë.

“Një gjë është e pandryshuar si para se të vinim edhe pasi erdhëm në pushtet, mbetet e pandryshuar fakti se vetëm njohja reciproke, pranimi i një realiteti nga ana e Serbisë krijon perspektiven e një realiteti dhe paqeje afatgjatë në rajonin tonë”.

“Pra vetëm ai momenti ku Serbia e pranon që kufijtë e Ballkanit nuk do të ndryshohen më, atëherë ekziston perspektiva e një stabiliteti afatgjatë”.

Gërvalla, shtoi se kanë qenë optimistë që propozimi franko-gjerman do t’i dërgoj në një pajtim me palën serbe.

“Ne kemi pranuar propozimin franko-gjerman, të cilin e kemi studiuar me kujdes. Në fund i kemi besuar partnerëve tanë gjermanë dhe amerikanë, duke thënë se nëse partnerët tanë deri më sot asnjëherë nuk na kanë lënë në baltë – sidomos Amerika që është garantuesi më i rëndësishëm i Pavarësisë së Republikës së Kosovës – kemi menduar që me një marrëveshje të kësaj natyre që shënon njohjen defacto por jo dejure, do të mund të pajtoheshim”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Në takimin e 27 shkurtit, ajo pohoi se ishin të mendimit që marrëveshja do të nënshkruhet.

“Jemi përpjekur, kemi shkuar disa herë në Bruksel dhe në prani të evropianëve është diskutuar kjo marrëveshje. Në fund kryeministri Kurti ka shkuar më 27 shkurt të këtij viti në Bruksel me mendimin që do të firmoset kjo marrëveshje”.

“Ne kemi qenë të gatshëm, BE ka qenë e gatshme, Serbia ka refuzuar. Edhe pse e kishte pranuar më parë gojarisht një marrëveshje të tillë, atëherë është pranuar nga Serbia dhe BE na ka thënë se edhe po nuk u bë sot, s’ka gjë sepse firmoset herën tjetër”.

Një situatë e ngjashme, sipas Gërvallës, ishte përsëritur edhe më 18 mars në Ohër.

“Kosova ishte e gatshme ta firmoste këtë marrëveshje dhe të fillonte implementimin dhe Serbia u tërhoq. Kështu të krijohet përshtypja sikur Serbia e ka pranuar këtë marrëveshje vetëm duke menduar se do të kaloj edhe kjo çështje sepse Kosova do ta refuzojë”.

Gërvalla për sulmin në Veri: Kam qenë në New York, jam informuar nga ministri Sveçla

Teksa ka thënë se për vdekjen e policit Afrim Bunjaku, i cili u vra nga grupet terroriste në Banjskë të Zveçanit tha se është informuar nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

“Natën që nisi agresioni kam qenë në New York dhe më ka telefonuar ministri Xhelal Sveçla, më tregoi ngjarjen dhe më ka rrëshqitur gjaku te thembrat. Pasi më tha na kanë sulmuar i thashë çfarë ka ndodhur në të vërtetë dhe më tha që një polic ka vdekur në krye të detyrës”.

Teksa ka thënë se rrethanat e tilla siç janë aktualisht kanë qenë të pritshme.

“E kemi pritur që do të vinin rrethana të vështira. Nuk do ja uroja këtë situatë asnjë personi që merret me politikë, përgjegjësia është shumë e madhe.

Banjskë, 24 shtator 2023.

Në fshatin Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator ndodhën sulme terroriste ndaj Policisë së Kosovës, ku u vra polici Afrim Bunjaku, u plagos polici Alban Rashiti si dhe u lëndua një tjetër.

Pas kësaj Policia e Kosovës reagoi duke kërkuar nga terroristët të dorëzohen, ata refuzuan të dorëzohen duke vazhduar sulmet me armë ndaj policisë.

Nga gjuajtjet me armë zjarri, katër terroristë u vranë dhe tetë janë arrestuar, ndërkaq katër prej tyre u morr vendim që të lirohen të mërkurën pasi për të njëjtit është thënë se nuk pati prova të mjaftueshme për përfshirjen e tyre në këtë rast.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore