Shqipëria

Asnjë media apo punonjës s’duhet të ndihet i shantazhuar, thotë Begaj


Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ka dhënë mesazhin e tij për Ditën Botërore për Lirinë e Shtypit.

Ai, përmes një postimi në Facebook, shkruan se mediat apo gazetarët nuk duhet të ndihen të shantazhuar apo të kërcënuar.

Sipas tij, ata duhet të vijojnë misionin në mënyrë transparente.

“Në Ditën Botërore për Lirinë e Shtypit me një grup gazetarësh të rinj në Shqipëri. Media në një shoqëri demokratike formon opinionin publik, ka një rol të pazëvendësueshëm në informimin e saktë të shoqërisë, në misionin e saj për të shprehur të vërtetat në mënyrë të paanshme e transparente”, shkruan Begaj.

Presidenti vijon duke thënë se asnjë media, apo punonjës i saj nuk duhet të ndjehet i shantazhuar apo i kërcënuar për shkak të kryerjes së këtij misioni.

“Bashkëbisedimi i frytshëm mbi realitetin mediatik, lirinë e shtypit, censurën dhe vetëcensurën, organizimet e munguara sindikale të punonjësve të medias japin shpresë se me gazetarë të lirë e profesionistë do të kemi një media më cilësore”, përmbyll Begaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore