Lajme

ASK: Rritet prapë importi i mallrave nga Serbia


Ilustrim

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, importi i mallrave nga Serbia ka shënuar rritje në muajin prill të këtij viti krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

“Importet nga vendet e CEFTA-së në muajin prill 2023, arritën në 78,3 milion euro, ose 17.6 për qind të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 2.1 për qind. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia 6.1 për qind Shqipëria 5.6 për qind Maqedonia 4.6 për qind”, thuhet në raportin e ASK-së.

Ndërsa sipas ASK-së në muajin prill 2023, eksportet e Kosovës me vendet CEFTA-së arritën në 27,0 milionë euro, ose 40.1 për qind të eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej 14.6 për qind.

“Partner kryesor për eksport nga vendet e CEFTA-së janë: Maqedonia 16.0 për qind Shqipëria 12.4 për qind Serbia 6.7 për qind Mali i zi për qind.

Ndërkaq eksportet e Kosovës me vendet tjera arritën në 20,7 milionë euro, ose 30.9 për qind.

“Si partner më të rëndësishëm nga këto vendet për eksport vlen të përmendën: SHBA 14.6 për qind dhe Zvicra 9.2 për qind”.

“Ndërsa importet e Kosovës me vendet tjera arritën në 170,6 milionë euro, ose 38.0 për qind. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia 15.0 për qind dhe Kina 9.4 për qind”, thuhet në raport.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sa ishte në opozitë deklaronte se “Serbia është e interesuar që shqiptarët të blejnë sa më shumë produkte të saj sepse në këtë mënyrë ajo forcohet brenda Kosovës dhe e kontrollon më kollaj politikën e saj”.

Kurti pretendonte se Qeveria e Serbisë në përgjithësi është lidhur me disa prodhues të cilët e kanë serinë e veçantë për produktet në Kosovë që mund të jenë të cilësisë më të ulët e mbase edhe të mos jenë të shëndetshme.

Ndonëse kanë kaluar më shumë se 10 vjet prej aksionit “Serbia nuk kalon” i cili synonte vendosjen e një reciprociteti në raport me mallrat e Serbisë, kjo e fundit sot e kësaj dite po dominon tregun kosovar me produktet e saja.

Albin Kurti, pasi u emërua kryeministër për herë të parë, mori vendim për heqjen e taksës 100 për qind që e kishte vendosur Ramush Haradinaj për produktet serbe.

Madje sipas tij vendosja e reciprocitetit ishte çështje ditësh e javësh, por kurrsesi muajsh.

Megjithatë, Kosova nuk e ka vendosur reciprocitetin ndaj Serbisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore