Kosova

Arrinë në Kosovë gazetarja e parë ukrainase


Lyudmila Makey, gazetarja e parë nga Ukraina që ka arritur në Kosovë.

Lyudmila Makey, është gazetarja e parë nga Ukraina që ka arritur në Kosovë, të dielën e 17 prillit.

Këtë e ka bërë të ditur Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Ajo është detyruar të largohet Ukraina për shkak të luftës. Zonja Makey është vendosur në Prishtinë dhe AGK-ja do të përkujdeset që ajo të vazhdojë punën nga Kosova”, thuhet në njoftimin e AGK-së.

Ndërsa ajo është takuar edhe me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, ministrën e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla dhe ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

“Pata kënaqësinë t’i uroj mirëseardhje në vendin tonë, znj. Lyudmila Makey, gazetare nga Ukraina. Ajo është gazetarja e parë ukrainase që ka arritur në Kosovë, pasi është detyruar të largohet nga Ukraina pas invazionit rus. Solidariteti ynë me popullin e Ukrainës dhe luftën çlirimtare kundër agresionit ushtarak rus janë të padiskutueshme”, shkroi Kurti në Facebook.

Lyudmila Makey, gazetarja e parë nga Ukraina që ka arritur në Kosovë.

Mekay, deklaroi se është e rrezikshme që të jesh gazetare në Ukrainë, duke përmendur faktin që forcat e okupatorit rus kanë vrarë  21 gazetarë në Ukrainë deri më tani.

“Falënderoj shumë të gjithë juve që më keni mundësuar të vijë në Kosovë. Ky program më mundëson që të mbetem në profesionin e gazetares. Jam thellësisht e prekur me faktin se si njerëz tërësisht të huaj dëshirojnë të na ndihmojnë. Besoj që bashkëpunimi ynë dhe solidariteti nga gazetarët tjerë është një hap i rëndësishëm drejt paqes”, tha ajo.

Lyudmila Makey, gazetarja e parë nga Ukraina që ka arritur në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, kishte bërë të ditur në Twitter se qeveria e Kosovës ka vendosur që t’i pranojë 20 gazetarë ukrainas të cilët janë larguar nga vendi i tyre shkaku i agresionit rus.

Kurti tha se do t’i përkrahin gazetarët ukrainas dhe do t’ua mundësojnë punën nga distanca.

Ndryshe, kjo është bërë e ditur nga një dokument qeveritar i siguruar nga Reuters, të martën e 1 marsit.

Bazuar në këtë dokument thuhet se përparësi do t’u jepet gazetareve femra të cilat do të zgjidhen nga Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ) dhe Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF).

Ndërsa, sqarohet se Qeveria fillimisht do të ndajë 150 mijë euro për të paguar shpenzimet e tyre të jetesës, pagat dhe zyrat për një periudhë deri në gjashtë muaj, për t’u mundësuar atyre të punojnë në distancë.

Një gazetar që raportonte sulmet në Kiev.

Mirëpo, në dokument nuk ka pasur të dhëna se kur do të mbërrinin gazetarët në Kosovë, e cila nuk është as anëtare e NATO-s dhe as e Bashkimit Evropian, “por i është bashkuar vendeve të tjera perëndimore në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë”, shkruan Reuters.

Ukraina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, por ka 40 trupa që shërbejnë si paqeruajtës në vend nën një mision të NATO-s.

Sulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para me 24 shkurti.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në gjithë botën.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e po ashtu edhe Kosova, janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore