Shqipëria

Arrestohet me qëllim ekstradimi i kërkuari nga autoritetet italiane për trafik kokaine


Autoritetet shqiptare kanë lokalizuar dhe arrestuar të shtunën e 17 qershorit në Shëngjin shtetasin Ardian Sufaj, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafikimin e 100 kilogramë kokainë.

39-vjeçari kërkohet nga Interpol Roma, pasi autoritetet gjyqësore italiane, me vendimin e datës 18 maj të këtij viti i kanë caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikim narkotikësh”, “Organizatë kriminale” dhe “Pengmarrje”, parashikuar nga Kodi Penal italian.

“Gjatë periudhës tetor 2022- janar 2023, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, kanë blerë dhe trafikuar 100 kg kokainë nga Ekuadori, me qëllim shitjen në Itali. Gjatë transportimit kokaina është vjedhur nga shtetas të paidentifikuar dhe shtetasi (Ardian Sufaj) me bashkëpunëtorët e tij në Itali kanë marrë peng një shtetas, në kërcënimin e armës, me qëllim mbledhjen e informacionit për vjedhjen e kokainës”, njoftoi Policia e Shtetit.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, po vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi në Itali.

Informacionet e siguruara në rrugë policore treguan se Sufaj fshihej në Shëngjin dhe pas verifikimeve u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Genova”.

Ajo u ndërmor nga forcat e “Fast Albania”, drejtoria e policisë së Lezhës në bashkëpunim me Interpol Tirana dhe zyrën e Interforcës italiane në Shqipëri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore