Shqipëria

Arrestohet efektivi i Policisë në Shkodër pas skandalit të shpërdorimit të detyrës


Ministria e Brendshme ka bërë me dije se është arrestuar Shkëlzen Gjonajn, me detyrë specialist Rendi në Komisariatin e Policisë Shkodër.

Ai u filmua duke u futur në një makinë private pa mandat kontrolli. Dhe pasi kontrollon makinën, polici i hap portofolin.

Si kjo video edhe një tjetër ku ai shfaqet duke rrahur një qytetar janë bërë publike një ditë më parë.

Referuar informacioneve, polici dyshohet se ka marrë nga portofoli një zarf të vogël me 350 mijë lekë dhe 50 euro, të cilat pasi u pikasën nga kamerat ia ktheu pronarit disa orë më pas.

Ndërkohë, Prokuroria e Shkodrës ka nxjerrë urdhër ndalimi për Shkëlzen Gjonajn, për kryerjen e veprave penale të “Shpërdorimit të detyrës”, “Vjedhjes së kryer duke shpërdoruar detyrën” dhe “Kanosje”, në dëm të shtetasve me iniciale B. U. dhe A. B.

“Pas transmetimit të një rasti tjetër të abuzimit me detyrën nga ky punonjës policie, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka firmosur përjashtimin e menjëhershëm nga Policia e Shtetit të punonjësit të Policisë nënkomisar Sh. Gj.”, ka njoftuar policia mbrëmë.

Ndërsa këtë të premte është njoftuar arrestimi i tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore