Lajme

Arrestohet diplomati që punonte për inteligjencën ruse, aksion i autoriteteve malazeze kundër spiunazhit rus


Autoritetet në Mal të Zi kanë arrestuar një ish-zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme, i cili dyshohet se për shumë vjet ka punuar në shërbim të inteligjencës ruse.

Prokuroria Speciale e Shtetit, në koordinim me Agjencinë e Sigurisë Kombëtare kanë nisur një aksion në të cilin është arrestuar Radomir Sekuloviç, i dyshuar për shërbim ndaj inteligjencës ruse dhe se ka qenë kreu i një grupi që dërgonte informacione konfidenciale në Moskë, mëson “Vijesti”.

Kodi Penal i Malit të Zi parasheh dënimin me burg nga tre deri në 15 vjet për veprën penale të spiunazhit, si dhe për një vepër tjetër penale, atë të krijimit të organizatës kriminale.

Sipas informacioneve të “Vijesti”, grupi që punonte për shërbimin inteligjent rus dyshohet se përmban rreth 20 anëtarë, ku Sekuloviç ishte drejtor i këtij rrjeti kriminal.

Ndryshe, MPJ malazeze, të enjten e 29 shtatorit ka shpallur gjashtë diplomatë rusë persona non-grata.

Sipas njoftimit të MPJ-së në rrjetin social Twitter, kjo është bërë për shkak të aktiviteteve që bien ndesh me Konventën e Vjenës, e cila përcakton një kornizë për marrëdhëniet diplomatike midis vendeve të pavarura.

“Ministria e Punëve të Jashtme ka shpallur persona non-grata 6 diplomatë të Ambasadës së Federatës Ruse të akredituar në Mal të Zi, për shkak të veprimtarisë së tyre në kundërshtim me Konventën e Vjenës për marrëdhëniet diplomatike dhe marrëdhëniet e vlerësimit dhe respektit të ndërsjellë mes dy vendeve”, thuhet në njoftim.

Dy shtetas malazezë, gjashtë punonjës të ambasadës ruse dhe disa shtetas rusë janë nën hetim nën dyshimin se punonin për shërbimin inteligjent rus.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore