Lajme

Arrestohen katër persona në Prishtinë, sekuestrohet edhe një armë


Policia e Kosovës.

Policia e Kosovës, ka bërë të ditur se të hënën në njërin nga parkingjet e Prishtinës ka ndodhur një rrahje mes disa personave, kurse në një veturë ka sekuestruar një armë zjarri.

Përmes një komunikate për media nga policia është thënë se janë shoqëruar gjashtë persona për në stacionin policor.

“Me datën 03.07.2023, njësitë policore si rezultat i implementimit të një plani operativ në terren, kanë arritur të sigurojnë informacione se në një parking në Prishtinë gjendet një veturë e dyshuar në të cilën ndodhet një armë zjarri, me ç’rast zyrtarët policorë kanë reaguar menjëherë duke shkuar në vendin e ngjarjes, ku si rezultat në të njëjtin lokacion kanë hasur në një rrahje mes disa personash”.


“Lidhur me rastin janë thirrur në asistencë edhe njësi të tjera për intervenim, ku si rezultat janë shoqëruar në stacion policor gjithsej 6 (gjashtë) persona të dyshuar, të cilët më pas janë intervistuar”.

Përveç armës, nga Policia është thënë se është konfiskuar edhe një thikë dhe një fishek.

“Po ashtu është bërë edhe kontrolli i veturës së dyshuar, me ç’rast është gjetur dhe është konfiskuar një armë zjarri, si dhe gjatë kontrollit tek i dyshuari mashkull kosovar pronar i automjetit të lartcekur, është gjetur  dhe është konfiskuar një thikë dhe një fishek”, thuhet në njoftim.

Ndër të tjera është thënë se është konsultuar edhe prokurori kompetent ku ndaj personave të dyshuar është iniciuar rasti “lëndim i rëndë trupor” dhe “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.

Nga gjashtë personat të cilët janë arrestuar nga Policia, katër janë dërguar në mbajtje kurse dy të tjerë janë liruar në procedurë të rregullt.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore