Sport

Arbnor Muja shënon dhe ia dhuron tre pikët skuadrës së tij


Arbnor Muja e ka gjetur rrugën e rrjetës në ndeshjen që skuadra e tij, Antwerp, e fitoi me rezultat 1:0 ndaj Kortrijk, takim i vlefshëm i javës së 33-të në kampionatin belg.

Ish-futbollisti i Dritës ia doli të shënojë një gol shumë të bukur nga jashtë zone në minutën e 71-të duke u asistuar nga Arthur Vermeeren.

Për Mujën ky ishte goli i gjashtë me fanellën e Antwerp-it në të gjitha garat, derisa ka dhuruar edhe pesë asistime.

Ndërkohë, skuadra e tij tani mban vendin e tretë në tabelë me 69 pikë, pesë më pak se lideri Genk.

Kujtojmë që skuadra e Mujës do ta luajë edhe një ndeshje në kampionatin e rregullt belg, atë kundër St. Truiden, pastaj do të luhet faza “Play-Off”.

Ndërkohë, Antwerp e ka një mundësi shumë të mirë që këtë sezon ta fitojë Kupën e Belgjikës, pasi që gjenden në finale përballë skuadrës Mechelen.

Kujtojmë që Muja është futbollistë më i shtrenjtë që ka dalë nga Superliga e Kosovës, teksa verën e kaluar u transferua te Antwerp për shumën e 400 mijë eurove nga Drita.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore