Film

‘Arbëria’ në Netflix


‘Shpërthimi’ i produksioneve kinematografike koreane në platformën Netflix, ngadalë, po i liron kufijtë gjuhësorë.

Kanë qenë dënimet e qenieve jotokësore të Hellbound-it dhe garuesit në lojërat me ndëshkime fatale të Squid Game-it, që kanë vulosur suksesin korean.

E tani, radhën për të folur në Netflix e ka shqipja. Jo me lojëra, por me histori.

I titulluar “Arbëria”, ky është filmi i parë shqiptar që do të shfaqet në Netflix. Dhe data është e afërt, 23 e këtij muaji të ftohtë dhjetor.

Ky film është i pari tërësisht artistik në gjuhën arbëreshe në histori.

Me regjisore Francesca Oliveri-n, filmi nxjerr në pah lidhjet e forta të rrënjëve dhe trashëgimisë kulturore të pakicës që jeton në disa fshatra në Kalabri dhe Bazilikatë.

Kalabrezja ka zgjedhur të pasqyrojë jetën e arbëreshëve në Itali, duke ndjekur rrjedhat e një historie dramatike.

Në film, do të shfaqet shpesh aktorja Caterina Misasi. Ajo është protagonistja e filmit. Gjithashtu fituese e Çmimit Publik në festivalin e filmit, “Dea”, në Tiranë.

Nën petkun e Aida Greco-s, një stilisteje të njohur, aktorja e kthen në realitet imazhin e krijuar nga krijuesja e filmit.

Me vdekjen e babait të saj, ajo kthehet në fshatin ku lindi. Ky i fundit është i vendosur midis Kalabrisë dhe Bazilikatës.

Çka pason është një ballafaqim brezash tërësisht femëror.

Ai do ta lejojë Aidën të përballet me distancën e krijuar ndër vite mes vetes dhe komunitetit, të cilit ajo i përket.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore