Lajme

Arben Vitia do të dorëhiqet nga posti i Ministrit


Arben Vitia, të premten do të zyrtarizojë dorëheqjen e tij nga pozita në Ministri të Shëndetësisë.

Vitia garon në zgjedhjet lokale për të parin e Komunës së Prishtinës, me kandidim nga partia e Vetëvendosjes më 17 tetor.

Ndërsa, ushtruese e detyrës së ministres së Shëndetësisë do të jetë Dafina Gexha-Bunjaku.

Vitia deri tani nuk ka treguar se kur do të japë dorëheqje si ministër, edhe pse kanë mbetur më pak se tri javë nga zgjedhjet. Por, ditë më parë ai deklaroi se do të bëhet pjesë e fushatës zgjedhore atëherë kur nuk do të jetë më ministër i Shëndetësisë.

Gjithashtu, Vitia ka thirrur të premten mediat në konferencë, e cila fillon në ora 11:00.

Kush është Dafina Gexha Bunjaku?

Dafina Gexha Bunjaku aktualisht është zëvendësministre e Shëndetësisë. Ka lindur në Gjakovë. E diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, ka vazhduar studimet post-diplomike në fushën e menaxhmentit shëndetësor – program i përbashkët i Universitetit të Prishtinës dhe Universitetit të Vjenës, Austri.

Është specialiste e epidemiologjisë, dhe ka punuar në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Departmentin e Epidemiologjisë. Gjithashtu ka qenë pjesë e ekipit të IKShPK për fazën përgatitore dhe menaxhuese për COVID-19.

Dafina Gexha Bunjaku, zëvendësministre e Shëndetësisë.

Gexha-Bunjaku është koordinatore për Kosovën në ECDC (Qendra Evropiane për Parandalim dhe Kontroll të Sëmundjeve Ngjitëse), për raportim dhe bashkëpunim në disa fusha. Ka punuar në Programin e Mjekësisë Familjare të zhvilluar dhe përkrahur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Kolegji Mbretëror i Mjekëve të Përgjithshëm, Mbretëria e Bashkuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore