Teknologji

Apple, rekord të ri shitjesh


Gjatë tremujorit të fundit të vitit 2020, kompania teknologjike Apple ka arritur një rekord të ri shitjesh.

Sipas agjensisë së lajmeve BBC, blerja në masë e telefonave, laptopëve dhe pajisjeve të tjera teknologjike për fëmijët, ka bërë që shitjet e Apple-it në tremujorin e fundit të vitit 2020 të arrijnë më shumë se 111 bilionë dollarë, thuajse 21% më shumë se vitin e kaluar.

Kërkesa në rritje gjatë periudhës së pandemisë për pajisjet teknologjike, ka ndikuar te shitjet e shtuara të kompanisë e cila numëron 1.65 bilionë pajisje aktive në mbarë botën duke përfshirë më shumë se 1 bilionë iPhone.

BBC sqaron se Apple-i ia ka dedikuar rritjen e shitjeve daljes së telefonit më të ri iPhone 12 i cili ka bërë që shumë njerëz të azhurnojnë modelet e vjetra. Njëkohësisht, një faktor tjetër sipas kompanisë është edhe kërkesa e shtuar në Kinë për telefona të pajtueshëm me rrjetin 5G.

Në rajonin më të madh të Kinës që përfshin Hong Kong-un dhe Tajvanin, shitjet e Apple-it janë rritur me 57%, në Evropë 17% dhe në Amerikë me 11%.

“Produktet po shkojnë shumë mirë në fë gjithë botën. Jemi shumë optimistë teksa presim tremujorin e Marsit”, ka deklaruar  Luca Maestri, shefi i financës në kompaninë Apple.

BBC shkruan se analisti i Wedbush Securities, Dan Ives, e përcakton rekordin e shitjeve të Apple-it si fillimin e një “super cikli” i cili ndikohet nga përditësimi i pajisjeve prej adhuruesëve të kompanisë drejt versioneve më të reja që përkojnë me avancimin e ndërlidhjeve telekomunikative.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore