Pajisje

Apple-i përballet me vonesa të dërgesave për shkak të kufizimeve në Kinë


Dërgesat e disa produkteve të Apple-it ka të ngjarë të përballen me vonesa nëse kufizimet e Kinës për COVID-19 vazhdojnë.

Gara e Kinës për të ndaluar përhapjen e COVID-19 ka bllokuar autostradat dhe portet, ka bllokuar punëtorët dhe ka lënë fabrika të panumërta në pritje të miratimit të qeverisë për t’u rihapur.

Sipas analistëve, këto ndërprerje janë shqetësuese pasi rrjedhin nëpër zinxhirët e furnizimit global.

Pegatron Corp, furnizues i Apple-it, ka thënë se do të pezullojë fabrikat në Shanghai dhe Kunshan, ku prodhohen iPhone 13, seria iPhone SE dhe modele të tjera.

Kurse Quanta Computer, e cila prodhon rreth tre të katërtat e Macbook-ëve të Apple-it në nivel global, gjithashtu ka pezulluar operacionet.

Çka për analistët mund të rëndojë më shumë në treg.

Ndikimi përfundimtar në zinxhirin e furnizimit të Apple-it është i pasigurt dhe varet nga faktorë si kohëzgjatja e kufizimeve.

Po ashtu kompania mund të marrë në konsideratë ridrejtimin e prodhimit nga Shanghai dhe Kunshan në fabrika diku tjetër, si Shenzhen, që aktualisht nuk është nën izolim.

“Apple-i mund të konsiderojë transferimin e porosive nga Pegatron në Foxconn, por vëllimi mund të jetë i kufizuar për shkak të çështjes së logjistikës dhe vështirësisë së rregullimit të pajisjeve”, ka treguar analisti Eddie Han.

Sipas tij, Pegatron mund të mbetet prapa në gjashtë deri në dhjetë milionë njësi iPhone nëse bllokimet zgjasin dy muaj dhe Apple-i nuk mund t’i ridrejtojë porositë.

Sakaq, drejtuesit kryesorë të Huawei-t dhe Xpeng-ut kanë shënuar kosto të mëdha ekonomike nëse fabrikat në Shanghai nuk mund të rifillojnë prodhimin së shpejti.

Shanghai po i afrohet javës së tretë të bllokimit dhe nuk ka treguar asnjë shenjë të një rihapjeje të gjerë.

Marrë nga “Reuters”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore