Shqipëria

Apeli i Posaçëm lë në fuqi vendimin për Vangjush Dakon


Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë për ish-kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako.

Lajmi u bë i ditur nga GJKKO-ja, duke cituar njoftimin për shtyp.

“Miratimin e vendimit nr. 57 akti, datë 06.06.2023 dhe vendimit nr. 61 akti, datë 08.06.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për personin nën hetim V.D”, shkruhet në njoftimin zyrtar të institucionit të drejtësisë.

Apeli i Posaçëm ka lënë gjithashtu në fuqi vendimet për zyrtarët e tjerë të bashkisë: Fatmir Ejupi, Meri Semini (Priftuli), Ferzilet Hajderi, Fiqiri Farruku, Adrian Bulku.

GJKKO-ja do të caktonte më 8 qershor masën arrest me burg për ish-kryebashkiakun e Durrësit.

Avokati i tij mbrojtës, në një deklaratë për mediat shprehej se “prokuroria nuk paraqiti asnjë provë për të justifikuar mbajtjen në burg”.

“Kërkesa jonë ishte ndryshimi i masës së burgimit pasi nuk ka duket e nevojshme. Dako ka qenë kryetar bashkie dhe ka ushtruar detyrën përmes strukturave, për të cilat nuk mban përgjegjësi kryetari i bashkisë. Ka një lapsus të prokurorisë. Është e provuar që vepra penale nuk ekziston”, theksonte ai.

Më herët, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), zbuloi akuzën për ish-kreun e Bashkisë Durrës dhe nëntë persona të tjerë, të përfshirë në disa çështje të bashkisë bregdetare ndër vite.

SPAK kërkoi caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg”, për Dakon, duke e akuzuar për kryerjen e veprave penale të “Shpërdorimit të detyrës” e kryer në bashkëpunim, dy herë.

Vangjush Dako akuzohet për dy episode të ndryshme, nën të njëjtën akuzë, atë të shpërdorimit të detyrës.

Në rastin e parë bëhet fjalë për dëmtimin e një pallati në Durrës që u dëmtua nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Ndërsa rasti i dytë përmend një procedurë prokurorimi projekt zhvillimor vlera e të cilit është “fryrë” duke kapur shifrën e 220 milionë lekëve të vjetra, nga përllogaritjet që ka bërë SPAK.

Më në detaje, vërehet se kontrolli i kuotës është bërë më 27 nëntor 2014 dhe pagesa e tarifës është bërë më 16 shkurt 2015.

Më 19 maj 2015 është bërë pagesa e tarifës për lejen e përdorimit dhe tetë ditë më pas është miratuar certifikata e përdorimit nga drejtori i Planifikimit të Territorit, Adhurim Qehajaj.

Sipas dosjes së zbardhur, në të njëjtën datë ky dokument është nënshkruar nga Vangjush Dako, në cilësinë e kryebashkiakut.

Në vijim, shkresa i është dërguar Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Durrës.

Kujtojmë se 10 personat e arrestuar nga SPAK për këtë dosje janë: Vangjush Dako, Adhurim Qehajaj, Ermal Lama, Fatmir Ejupi, Adrian Bulku, Fiqiri Fareuku, Adnand Toçilla, Meri Semini Priftuli, Ferzilet Hajderi, Djana Dedja.

Më 30 korrik, i etiketuar si non grata nga SHBA-të, sot drejtësia shqiptare po merr veprime konkrete ndaj tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore