Lajme

Anulohet gjykimi për vrasjen e Ivanoviç-it, mbrojtja kërkon kohë për analizimin e CD-ve


Oliver Ivanoviç.

Sërish është shtyrë seanca në Gjykatën Themelore në Prishtinë, për rastin e vrasjes së politikanit serb, Oliver Ivanoviç.

Anulimi i kësaj seance është bërë me kërkesë të mbrojtësve të të akuzuarve, me arsyetimin se iu nevojitet kohë për analizimin e CD-ve të vendit të ngjarjes si prova materiale.

Ndërsa, seanca e radhës për këtë rast është caktuar të mbahet më 27 tetor.

Oliver Ivanoviç u vra më 16 janar 2018, me gjashtë të shtëna në shpinë, përpara zyrës se partisë së tij në Mitrovicën e Veriut.

Ndërsa, Milan Mihailoviç, i dyshuar për vrasjen e politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviç, ishte liruar me 16 mars të këtij viti nga Gjykata. Në fakt, atij i është zbutur masa e sigurisë, nga paraburgimi, në arrest shtëpiak, meqë sipas avokatit të tij Miodrag Bërkljaç, ai do të paraqitet në stacion të policisë dy herë në javë, të martën dhe të enjten.

Gjykata Themelore në Prishtinë.

Ai ishte arrestua në tetor të kaluar dhe akuzohej se ishte “i lidhur drejtpërdrejt me grupin që i ka marrë jetën Ivanoviçit”, dhe po mbahej në paraburgim.

Të akuzuarit Nedejklo Spasojeviç, Marko Roshiç, Rade Basara dhe Silvana Arsoviç ngarkohen  se në bashkëpunim edhe me të pandehurit që janë në arrati Zheiko Bojiç, Zvonko Veselinoviç dhe Milan Radoiçiç kishin kryer vrasjen e Oliver Ivanoviç’it.

Seanca fillestare ishin mbajtur me 11 shkurt 2020, kurse Gjykata Themelore në Prishtinë, më 6 prill 2020, kishte refuzuar kërkesat për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimet e provave.

Pas ankesave të katër avokatëve, Gjykata e Apelit kishte aprovuar ankesat e mbrojtësve dhe çështja ishte kthyer në rivendosje.

Sipas Apelit, në rivendosje nga gjykata e shkallës së parë duhet të eliminohen kundërthëniet, duke i dhënë mundësi prokurorit për tu deklaruar ose për ta korrigjuar dhe plotësuar aktakuzën në mënyrë që aktakuza të jetë në përputhje me nenin 241 të KPPRK-së.

Në kohën e ngjarjes, Ivanoviç ishte në proces gjyqësor, për pretendime mbi vrasjen e shqiptarëve të Kosovës gjatë luftës çlirimtare të vitit 1999. Deri në vitin 2008, ai ishte kreu i serbëve të Kosovës.

Pas firmosjes së marrëveshjes së Brukselit, Serbia dhe Kosova filluan normalizimin e raporteve.

Nga kjo kohë qasja e Ivanoviç në politikë ishte moderuar. Në vitin 2014 ai u akuzua për krime lufte dhe u burgos.

Në 2016-ën, u dënua me nëntë muaj burgim nga misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë – EULEX. Ndërkohë në vitin 2017, Gjykata e Prishtinës e anuloi këtë vendim duke e liruar politikanin serb dhe duke rinisur një proces të ri.

Gjatë kësaj kohe, Ivanoviç mori kërcënime të shumta, deri në çastin e vrasjes së tij, në janar të 2018-ës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore