Lajme

Anton Quni, kandidat i LDK-së për kryetar të Prizrenit


Anton Quni, është kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, për kryetar të qytetit të Prizrenit.

Kështu ka bërë të ditur me anë të një postimi në Facebook, kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, duke thënë për Quni-n se “Luftëtar një herë, luftëtar gjithherë”.

“Prandaj dhe sfidën e fundit e ka kapërcyer siç di vet. Antonin e njoh nga ditët e para në LDK. Një mik i jashtëzakonshëm, një udhëheqës i dalluar, një patriot i vërtetë – bashkëudhëtimi me të gjithmonë ka qenë nder”.

“Sonte, isha me të në Prizren. Takuam struktura e qytetarë, veprimtarë e profesionistë në qytetin e njerëzve të mirë e punëtorë, të ndershëm e dallueshëm, në qytetin e diversitetit, kulturës e përparimit, në qytetin e Lidhjes”.

“Anton Quni, 54 vjeçar, ushtarak me profesion, bashkëshort i Mirianës, baba i Kristianës, Mikelit, Markut e Dritonit – deputet i Kuvendit të Kosovës, ish-Ministër i Mbrojtjes, Komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës – do të jetë kandidat i yni për Komunën e Prizrenit”.

“Jam i bindur që, siç i është qasur secilit ballafaqim për një jetë të tërë, do t’i jep dhe Prizrenit gjithçka që një qytet kaq i bukur meriton”.

“Lidhja jonë i ka dyert e hapura për secilin që ndjekë vizionin tonë. Nderojmë të shkuarën, ndërtojmë të ardhmen. Po dëgjojmë, po hapemi, po rikthehemi. Anton, na priftë e mbara!”, ka shkruar Abdixhiku.

Ndërsa më 9 qershor, kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës, pati zyrtarizuar tetë kandidatë për kryetarë të komunave.

“Kandidat për kryetar të Komunës së Prishtinës është Përparim Rama, për komunën e Podujevës është Ekrem Hyseni, për komunën e Pejës është Gazmend Muhaxheri, për komunën e Suharekës është Ardian Shala, për komunën e Lipjanit është Imri Ahmeti, për komunën e Fushë Kosovës është Burim Berisha, për komunën e Vitisë është Sokol Haliti dhe për komunën e Vushtrrisë është Xhafer Tahiri”, kishte njoftur zyra për media e LDK-së.

Në zgjedhjet e 14 shkurtit, LDK përfundoi si subjekti i tretë politik, e cila pësoi rënie të thellë elektorale deri në përgjysmim të votës, duke marrë 12,73 për qind të votave.

Zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen më 17 tetor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore