Teknologji

Ankesa e Vivacom-it, vonim i rrjetit 5G në Bullgari


Komisioni i Rregullimit të Komunikimit në Bullgari, ka njoftuar se do të mbajë një takim për të kërkuar mënyra lidhur me rritjen e shpejtësisë komerciale të rrjeteve pa tela 5G pas kundërshtimit në gjykatë të vendimit për caktimin e tre licencave 5G nga operatori kryesor telefonik në vend, Vivacom.

Agjencia e lajmeve, Reuters, shkruan se Komisioni i Rregullimit të Komunikimit (CRC) pas shqyrtimit të ofertave të dhëna nga operatorët kryesorë të telefonisë në vend, ka vendosu të mbyllë ankandin e rrjetit 5G dhe t’i japë secilit prej tre operatorëve një licencë në spektrin 3.6 GHz pa konkurrencë.

Sipas regjistrit gjyqësor, operatori kryesor në Bullgari, Vivacom, e cila është e kontrolluar nga United Group, ka nisur procedurat ligjore kundër mënyrave të caktimit të licencave.

Lidhur me procedurat ligjore, ato mund të zgjasin me muaj ose me vite. Kjo mund të vonojë në mënyrë serioze zhvillimin e rrjeteve 5G në Bullgari.

“Ne do të mbajmë një takim dhe do të kërkojmë mënyra për të ecur përpara sepse është në interesin kombëtar të shpejtojmë procesin, nëse është e mundur. Nëse jo, ai do të lihet në duart e gjykatës”, ka thënë kreu i CRC-së, Ivan Dimitrov për Reuters.

Dimitrov është shprehur se pret që rregullatori të dalë me një zgjidhje. Ai ka theksuar se edhe nëse deri në fund të javës lëshohen licencat e frekuencave, ato nuk mund të zbatohen përpara se  një gjykatë bullgare të vendosë mbi ankesën e paraqitur nga Vivacom-i.

Mirëpo, kreu i CRC-së nuk ka pranuar të japë detaje të hollësishme se çfarë mund të përfshijnë opsionet e përshpejtimit të procesit. Nga ana tjetër, pritet që vetë kompania të komentojë mbi zhvillimin.

Sipas Reuters, fillimisht CRC-ja planifikoi të ankandojë tre licenca 20 vjeçare me çmim fillestar prej 2.44 milionë dollarësh, por e ndryshoi këtë ide pas shqyrtimit të aplikimeve.

Fakti që vetëm Vivacom-i shprehu interesin për të marrë licencën për brezin 3 mijë e 500 deri në 3 mijë e 600 MHz, rregullatori u shpreh se nuk ishte e nevojshme të hapej një ankand për licencën ndërkohë që rezultonte vetëm një ofertues.

Kështu që e nxori Vivacom-in nga ankandi për dy lejet e tjera si ofertuesit e vetëm për licencë në brezin 3 mijë e 600 deri në 3 mijë e 700 MHz dhe një të tretë për brezin 3 mijë e 700 deri në 3 mijë e 800 MHz.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore