Jetesë & Stil

Angelina Jolie bën thirrje për armëpushim në konfliktin Izrael-Palestinë


Aktorja dhe humanistja, Angelina Jolie po bën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në Rripin e Gazës dhe Izrael.

Ndërsa fliste për luftën midis Izraelit dhe Hamasit, fituesja e çmimit “Oscar”, 48 vjeçe, zbuloi se ajo është ndjerë “e sëmurë dhe e zemëruar me sulmin terrorist në Izrael” që shkaktoi vdekjen e shumë civilëve të pafajshëm, shkruan DailyMail, transmeton AlbanianPost.

Në postimin e saj të fundit, të ndarë me më shumë se 14.6 milionë ndjekësit e saj në Instagram, nëna e gjashtë fëmijëve zbuloi po ashtu se e ka kaluar kohën e saj “duke pyetur veten se si të ndihmojë në përmirësimin e sitatës”.

“Edhe unë lutem për kthimin e menjëhershëm dhe të sigurt të çdo pengu dhe për familjet që mbajnë dhimbjen e paimagjinueshme të një vrasjeje të një njeriu të dashur. Mbi të gjitha, fëmijët u vranë dhe shumë fëmijë tani jetimë”, shkroi Jolie.

“Ajo që ndodhi në Izrael është një akt terrori. Por kjo nuk mund të justifikojë jetët e pafajshme të humbura në bombardimin e një popullsie civile në Gaza që nuk ka ku të shkojë, nuk ka qasje në ushqim apo ujë, nuk ka mundësi evakuimi, madje as të drejtën themelore të njeriut për të kaluar një kufi apo për të kërkuar strehim”, shtoi tutje ajo.

“Për shkak të punës sime me refugjatët për 20 vjet, fokusi im është te njerëzit e zhvendosur nga dhuna në çdo kontekst”, shtoi më tej.

Aktorja iu referua punës së saj “me refugjatët” për dy dekadat e fundit dhe se si ajo aktualisht është e fokusuar te “njerëzit e zhvendosur nga dhuna në çdo kontekst”.

“Gaza ka një popullsi prej mbi 2 milionë njerëz (gjysma e tyre fëmijë), të cilët kanë jetuar nën një bllokadë të ashpër për gati dy dekada, në krye të dekadave të shpërnguljes dhe pashtetësisë”, theksoi ajo.

“Kamionët e paktë të ndihmave që po hyjnë janë një pjesë e asaj që nevojitet (dhe dërgohej çdo ditë përpara konfliktit aktual), dhe bombardimet po shkaktojnë nevoja të reja humanitare të dëshpëruara çdo ditë”, shtoi ajo.

Jolie vazhdoi të dënojë “mohimin e ndihmës, karburantit dhe ujit” pasi “kolektivisht” ndëshkon të gjithë njerëzit, përfshirë civilët dhe fëmijët e pafajshëm.

“Njerëzimi kërkon një armëpushim të menjëhershëm. Jetët palestineze dhe izraelite – dhe jetët e të gjithë njerëzve në mbarë botën – kanë një rëndësi të barabartë”, përfundoi ajo.

“Çdo gjë që mund të parandalojë viktimat civile dhe të shpëtojë jetë duhet të bëhet. Si shumë të tjerë, unë kam dhuruar për përpjekjet e ndihmës mjekësore. Unë kam zgjedhur të mbështes punën e Mjekëve pa Kufij dhe e kam mbyllur pas raportimit të tyre”, shtoi Angelina.

Jolie ka punuar me Komisionerin e Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) për më shumë se 20 vjet dhe ka shërbyer si ambasadore e vullnetit të mirë.

Sipas faqes së internetit të UNHCR-së, ajo “ka kryer më shumë se 60 misione në terren duke dëshmuar vuajtjet dhe qëndrueshmërinë dhe duke bërë thirrje për zgjidhje urgjente për të mbrojtur të drejtat dhe sigurinë e njerëzve të zhvendosur”.

Në dhjetor të vitit 2022, ajo “u dorëhoq nga roli i saj si e dërguar speciale për t’u angazhuar në një grup më të gjerë çështjesh humanitare dhe të të drejtave të njeriut”.

Postimi i saj vjen vetëm disa ditë pasi dhjetëra personazhe të famshëm, duke përfshirë, America Ferrera, Channing Tatum dhe Dua Lipa, u mblodhën për t’i kërkuar Presidentit Joe Biden që të ndihmojë në de-përshkallëzimin e krizës në Gaza dhe Izrael.

Personazhet publike, të cilët krijuan një grup të quajtur Artists4Ceasefire, i shkruajtën një letër të hapur presidentit, e cila shpjegon se ata janë “bashkuar si artistë dhe avokatë, por më e rëndësishmja si qenie njerëzore që dëshmojnë humbjen shkatërruese të jetëve dhe tmerret e shpalosura në Izrael dhe Palestinë”.

Nënshkruesit po i kërkojnë gjithashtu Biden-it të ndihmojë banorët e Gazës për të aksesuar ndihmën humanitare dhe shprehën besimin e tyre se “Shtetet e Bashkuara mund të luajnë një rol jetik diplomatik në përfundimin e vuajtjeve”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore