Jetesë & Stil

Andrew Tate akuzohet për përdhunim dhe trafikim njerëzor në Rumani


Ish-kikboksieri profesionist dhe influencuesi i internetit, Andrew Tate është paditur me akuza për përdhunim, trafikim njerëzor dhe formim të një grupi kriminal për shfrytëzim seksual të grave.

Akuzat nuk erdhën vetëm mbi Andrew, por edhe mbi vëllanë e tij Tristan si dhe dy shtetase të tjera rumune, dhe e gjitha ka ardhur pasi që dy vëllezërit kishin qenë në arrest shtëpiak që prej dhjetorit të vitit që lamë pas.

Organizata antiterroriste e Rumanisë, Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Terrorizmit (DIICOT), pretendoi në një deklaratë të martën e 20 qershorit, se Tate dhe të pandehurit e tjerë krijuan një grup kriminal në vitin 2021 “për të kryer krimin e trafikimit të qenieve njerëzore në territorin e Rumani, por edhe në vende të tjera, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania të Madhe”.

Njoftimi shtoi se grupi i krimit ka mashtruar shtatë viktima me “synimin për të krijuar një marrëdhënie martese apo bashkëjetese dhe ekzistencën e ndjenjave të vërteta të dashurisë”, shkruan People, transmeton AlbanianPost.

DIICOT pretendon se në vend të kësaj viktimat u transportuan në ndërtesat në qarkun Ilfov, zona që rrethon Bukureshtin, ku u detyruan përmes dhunës fizike dhe detyrimit mendor të kryenin akte pornografike të cilat më pas u shpërndanë përmes mediave sociale.

Aktakuza kërkon gjithashtu konfiskimin e shumë prej pasurive të Tate, duke përfshirë 15 makina luksoze, 14 orë luksoze dhe rreth 300 milionë dollarë në kriptomonedhë.

Por, avokatët e Tate i kanë mohuar të gjitha akuzat.

“Ndërsa ky lajm është padyshim i parashikueshëm, ne përqafojmë mundësinë që ai ofron për të demonstruar pafajësinë e tyre dhe për të justifikuar reputacionin e tyre”, kanë thënë ata në një deklaratë.

“Fokusi ynë kryesor do të jetë të vërtetojmë të vërtetën dhe të sigurojmë një ekzaminim të drejtë dhe të paanshëm të provave që ekipi ligjor do të paraqesë. Aktakuza tani na lejon të paraqesim një grup gjithëpërfshirës provash, të mbledhura dhe të përgatitura me zell me kalimin e kohës, të cilat padyshim do të vërtetojnë pretendimet e vëllezërve për pafajësinë”, u tha tutje.

Vëllezërit Tate janë nën hetim që nga prilli i vitit 2022, sipas gazetës së përditshme rumune Gandul, derisa sipas kësaj reviste, thuhet se hetimi filloi pas një denoncimi se “një grua me nënshtetësi amerikane po mbahej me forcë në rezidencën e tyre”.

Disa gra të reja u gjetën në një ndërtesë që ndodhet rreth 500 metra larg vilës së Bukureshtit. Gruaja amerikane u tha hetuesve se ishte takuar me Tristanin përmes një rrjeti social dhe se ai e bindi të blinte një biletë avioni për në Rumani.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore