Kosova

Analisti nga Bosnja: Asociacioni i Kosovës është Republika Srpska 2.0


Ilustrim

Për politologun dhe analistin nga Bosnja e Hercegovina, Jasmin Mujanoviç, është e pabesueshme se si Shtetet e Bashkuara të Amerikës me “forcë” po tentojnë ta detyrojnë Qeverinë e Kosovë ta implementojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, ndërkohë që tashmë në Bosnje ka një shembull të hidhur për këtë.

Sipas tij, Asociacioni të cilin Kosova duhet ta formojë, as më pak as më shumë, është një Republika Srpska 2.0.

Prandaj duke pasur parasysh këtë premisë, argumenton më tej Mujanoviç, Kosova ka të drejtë të kundërshtojë implementimin e Asociacionit.

“Është e pabesueshme të shikosh zyrtarët amerikanë që përpiqen me forcë ta detyrojnë Kosovë ta pranojë Asociacionin, ndërkohë që kritikojnë regjimin e Milorad Dodik në entitetin e Republikës Srpska të Bosnjes për kërcënimet e tij të vazhdueshme për shkëputje”, ka shkruar ai në rrjetin e tij social në Twitter.

I deleguar special i ShBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Esocbar, gjatë vizitës së tij të fundit në Kosovë deklaroi se Prishtina duhet të nis bisedimet për formimin e Asociacionit.

Megjithatë ai dha garanci amerikane se Asociacioni assesi nuk do të jetë një Republika Srpska, siç i druhet skena politike kosovare.

“Ne do ta kemi Asociacionin, ne do të jemi pjesë e procesit, dhe ai proces duhet të përfshijë Qeverinë e Kosovës”, kishte thënë Escobar në një intervistë për Radio Evropën e Lirë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore