Kosova

Analistët për referendumin e Serbisë: Nuk po lejohet të cenohet edhe më tej sovraniteti i Kosovës


Ilustrim

Qëndrimi kundër i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për organizim të referendumit të Serbisë në territorin e Kosovës po vlerësohet si veprim i duhur nga, ana e analistëve sepse nuk po lejohet të cenohet edhe më tej sovraniteti i vendit.

Analisti politik, Gazmir Raci ka deklaruar se është hera e parë që një kryeministër i Kosovës nuk po e lejon që të cenohet sovraniteti dhe integriteti territorial i vendit, duke i treguar edhe Përfaqësuesit të Lartë për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, që serbët që kanë shtetësi të dyfishtë e që jetojnë në Kosovë, do të lejohen të votojnë vetëm me postë apo në zyrën ndërlidhëse në Prishtinë, por jo në ndonjë formë tjetër.

“Konsideroj se nuk duhet lejuar askush që një referendum i tillë të mbahet në Kosovë. E para ne ende nuk e kemi njohjen formale nga ana e Serbisë, karshi statusit përfundimtar të Kosovës që është pavarësia e shtetit dhe funksionaliteti i saj. Andaj në kushte të tilla çfarë jemi tani nuk duhet lejuar që një gjë e tillë të ndodh në Kosovë”, ka thënë Gazmir Raci për Ekonomia Online.

Tutje Raci deklaron se BE, ashtu siç ka bërë në vazhdimësi duhet të luaj rolin e ndërmjetësuesit në mënyrë që palët të mos acarohen ndërmjet vete, por në rastin konkret janë institucionet e Kosovës ato që vendosin.

Gazmir Raci

“Bashkimi Evropian gjithmonë ka luajtur rolin e ndërmjetësit, lehtësuesit edhe natyrisht të zgjidhjeve të mundshme që kënaq të dyja palët. Në këtë rast nuk ka çka me luajtur rol, për shkak që janë institucionet e vendit ato që kanë vendosur që një gjë e tillë të mos ndodh”, ka deklaruar ai.

Tutje ish-këshilltari në Ministrinë për Dialog ka deklaruar se pa leje nga institucionet e Kosovës nuk mund të ndodh ndonjë organizim, por nëse ndodh një gjë e tillë atëherë është ilegal.

“Në çdo pjesë apo territor të Kosovës nëse zihen duke votuar, Policia duhet të veproj dhe t’i ndaloj”, thotë Raci.

Ashtu sikurse kryeministri mendon edhe Raci se qytetarët serb të Kosovës me dy shtetësi, kanë forma të tjera që ata munden me e shpreh vullnetin e tyre përmes votës, “e që njëra prej tyre është votimi përmes postës ose e kanë edhe zyrën ndërlidhëse në Prishtinë, dhe aty do të mund të votohej, siç rëndom bëjnë në të gjitha shtetet”, përfundon Raci, përcjell EO.

Nga ana tjetër njohësi i çështjeve politike, Eugen Cakolli është i mendimit se Kosova në asnjë formë nuk duhet të lëshojë pe lidhur me organizimin e referendumit të Serbisë në territorin ose në një pjesë të Kosovës.

Eugen Cakolli

Ai konsideron se opsionet e përmendura nga ana e Qeverisë së Kosovës për votim me postë apo në Zyrën Ndërlidhëse, janë formë përmes së cilës Serbia detyrohet ta pranojë që nuk ka kurrfarë juridiksioni në Kosovë.

“Lejimi i procesit të votimit apo qëndrimi indiferent ndaj zhvillimit të tij në çfarëdo forme këtë të dielë, do t’a cenonte drejtpërdrejtë rendin tonë juridik e kushtetues”, thotë Cakolli në një postim në rrjetin social Facebook.

Ai tutje konsideron se praktike e “lejimit të organizimit të zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, sikur deri në vitin 2020, ka qenë totalisht gabim, e lëre më të tolerohet organizimi i referendumit për çështje të brendshme të një shteti tjetër”, përfundon Cakolli.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore