Sport

Ambasadorja e sportit të Francës viziton KOK-un


Drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës kanë pritur ambasadoren për sport në Francë, Laurence Fischer, e cila po e viziton Kosovën.

Presidenti Krasniqi, duke falënderuar ambasadoren Fischer për vizitën bërë KOK-ut, e njohu me aktivitetet dhe sukseset, me theks të veçantë medaljet e arta olimpike, njofton KOK-u.

Presidenti theksoi se synimet e tanishme janë Lojërat Olimpike “Paris 2024”, ku KOK-u po i mbështet me bursa olimpike 22 sportistë, nga të cilët pritjet janë të fitohen sa më shumë norma olimpike, e më pas edhe medalje.

Nga ana e saj, ambasadorja Fischer vlerësoi lartë të arriturat e sportistëve tanë, derisa shprehu kënaqësinë që Franca do të organizojë Lojërat e ardhshme Olimpike, duke shtuar se mikpritja për ekipin olimpik të Kosovës do të jetë në nivel të lartë.

Palët diskutuan po ashtu mundësinë që sportistët tanë të marrin pjesë në kampe të ndryshme që organizohen në Francë, para LO Paris 2024.

Ambasadorja shoqërohej në takim edhe nga përgjegjësja për bashkëpunim me Ambasadën e Francës, Cecilia Maronnier, si dhe menaxherja e projektit në delegacionin për sport të Ministrisë së Francës për Evropë dhe Punë të Jashtme, Marie Roy, kurse nga KOK-u në takim mori pjesë edhe zyrtarja për marrëdhënie ndërkombëtare, Rejhan Halili.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore