Lajme

Ambasada amerikane: Të zvogëlohen tensionet menjëherë dhe pa vonesë


Ambasada Amerikane në Kosovë

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, ka reaguar pas vendosjes së reciprocitetit për targat e veturave që vijnë nga Serbia në Kosovë, ndërsa ka kërkuar zvogëlim të menjëhershëm tensioni.

Përmes një postimi në llogarinë zyrtare të Twitter, kjo ambasadë kërkon “ndalimin e veprimeve të njëanshme”.

“Ne i bashkohemi Bashkimit Evropian duke i bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë të ushtrojnë përmbajtje, të përmbahen nga veprimet e mëtejshme të njëanshme dhe të zvogëlojnë tensionin – menjëherë, pa vonesë”, thuhet në postim.

Ndërkohë, rreth këtij zhvillimi në pikën kufitare të Jarinjes, ka reaguar edhe zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë dhe Siguri të Jashtme, Peter Stano, i cili ka thënë se të dy palët duhet të ndalin menjëherë tensionet dhe ta shfrytëzojnë dialogun për t’i zgjidhur mosmarrëveshjet për çështjet e hapura që mund t’i kenë këto dy vende, përfshirë edhe lirinë e lëvizjes.

Peter Stano – Zëdhënës i Bashkimit Evropian për Politikë dhe Siguri të Jashtme

“Liria e lëvizjes është një kusht themelor i BE-së dhe këtë e presim edhe nga Kosova dhe Serbia që ta promovojnë atë. Ne u bëjmë thirrje të dyja palëve që të përmbahen dhe të reduktojnë tensionet. Menjëherë dhe pa ndonjë vonesë”, është shprehur Stano në një konferencë për media.

Po ashtu, Stano ka theksuar se dialogu është platforma e vetme për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të tilla.

“Përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, tashmë ka arritur në Beograd dhe në takimin me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, këtë pasdite, do ta adresojë situatën dhe pas disa orëve ai do të flasë edhe me lidershipin politik të Kosovës për të adresuar këtë çështje”, shtoi Stano.

Ndërkaq, Ministria e Punëve të Brendshme  ka shkruajtur se kjo është ndërmarrë për qëllim të mundësimit të lëvizjes së lirë të qytetareve pas skadimit të marrëveshjes së 15 shatorit të vitit 2016.

“Ministria e Punëve të Brendshme ka nxjerrë vendim që obligon pajisjen me targa të përkohshme për të gjithë automjetet që mbajnë targa të Serbisë dhe që hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës, në të gjitha pikat e kalimit kufitar. Njëkohësisht, MPB dhe policia kanë ndërmarrë të gjitha masat e domosdoshme për të reduktuar në maksimum pritjet në pikat kufitare”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

“Njoftojmë opinionin se nga data 15 shtator nuk ka në qarkullim asnjë veturë të pajisur me targa valide “KS” dhe rrjedhimisht targat e vetme ligjore dhe me afat të lëshuara nga zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme janë ato me denominimin “RKS”.

MPB njofton se situata është e qetë dhe se Policia e Kosovës ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme operative dhe logjistike që të mos pengojnë dhe vonojnë lëvizjen e njerëzve dhe të mallrave.

Policia e Kosovës ka filluar aksionin për reciprocitetin e targave dhe secila veturë që ka targa serbe po detyrohet t’i heqë ato dhe të vendosë targa “RKS”.

Pas aksionit të policisë, qytetarë serbë kanë bllokuar rrugën me kamionë dhe nuk po lejojnë lëvizjen.

Ndiqni LIVEAlbanian Post, të gjitha zhvillimet e aksionit të policisë në Veri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore