Lajme

Ambasada amerikane në Kosovë: Numri total i vaksinave anti-COVID do të jetë mbi 700 mijë doza


Ilustrim

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, ka bërë të ditur se numri total i vaksinave anti-COVID të dërguara nga SHBA-ja në Kosovë do të jetë mbi 700 mijë doza.

Përmes një shkrimi në faqen zyrtare, ambasada amerikane ka kërkuar nga qytetarët e Kosovës që të vaksinohen në mënyrë që të mposhtet COVID-19, duke theksuar se vaksinat funksionojnë vetëm nëse njerëzit vaksinohen.

“Kjo dhuratë nga populli amerikan është donacioni më i madh i vetëm i vaksinave për Kosovën nga çdo vend apo organizatë. Kur të përfundojë, donacioni amerikan do të sjellë në mbi 700 mijë numrin e dozave të dhëna përmes mekanizmit COVAX, një iniciativë globale për të mbështetur qasjen në vaksina të sigurta dhe efektive”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

Sipas njoftimi të ambasadës thuhet se “shumë njerëz ende besojnë se vaksina nuk është e nevojshme, ose se nëse ata janë kontraktuar dhe mbijetuar nga COVID, ata nuk mund të sëmuren përsëri. Kjo thjesht nuk është e vërtetë, veçanërisht në dritën e rritjes dramatike të rasteve të shkaktuara nga varianti Delta”.

“Prandaj ju lutemi – vaksinoheni për të mbrojtur veten, familjet tuaja dhe komunitetet tuaja. Së bashku, ne mund ta mposhtim COVID-19”, vijon njoftimi.

Përveç vaksinave, që nga fillimi i pandemisë, SHBA-të “kanë siguruar gati katër milionë dollarë pajisje mbrojtëse, pajisje mjekësore, grante për mësim online dhe ndihmë të tjera të lidhura me pandeminë për të ndihmuar shkollat, objektet mjekësore, familjet dhe komunitetet anembanë 38 komunat e Kosovës”.

Ndërkaq, tri ditë më parë Kosova ka pranuar një donacion prej 35 mijë e 100 doza të vaksinës anti-COVID nga kompania Pfizer nga SHBA-të.

Në këtë ceremoni, ambasadori i SHBA-së Philip Kosnett, tha se vaksinat janë dërguar përmes programit COVAX dhe janë pjesë e angazhimit të Shteteve të Bashkuara.

“Vaksinat luajnë një rol udhëheqës në luftë ndaj pandemisë COVID-19 për t’i dhënë fund pandemisë kudo në botë, ndërsa do të ketë edhe dhurim të kontingjenteve të tjerë të vaksinave për Kosovë”, është shprehur Kosnett.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë kësaj ceremonie vuri në theks mungesën e vaksinave në Kosovë, duke sqaruar se ka bërë kërkesë ndaj presidentit amerikan Joe Biden.

Osmani ka ripërsëritur se vaksinimi është akti më patriotik në këtë kohë, duke shtuar se ky donacion dëshmon miqësinë ndërmjet të dy shteteve dhe iu referua fjalës së urtë popullor, “Miku i mirë në ditë të vështirë”.

“E kam ditur se Biden do ta ndihmonte dhe morëm përgjigje për mbi 500 mijë vaksina, kontingjenti po e pranojmë sot, edhe të tjerat do të vijë shumë shpejt shpresoj. Kjo dëshmon miqësinë,  nuk mjafton vetëm arritja e vaksinave, vaksinimi është akti më patriotik i kësaj kohe, secili duhet të vaksinohet. Kjo është gjëja më e duhur”, deklaroi Osmani.

Ajo shtoi se “Vaksinimi është shans për të ngadhënjyer kundër virusit, të shpëtojmë jetë, ta shpëtojmë ekonominë tonë”.

Ndërkaq, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u shpreh se këto vaksina të dhuruar do të administrohen për një ditë e gjysmë dhe se brenda vitit do të imunizohen 60 për qind  e popullatës.

Ai ka shtuar se Kosova është mirënjohëse për ndihmën e SHBA-së për ta luftuar Covid-19.

“Me 28 mars të këtij viti ne ishim në Aeroport kemi pranuar kontingjenti e parë, tani po pranojmë kontingjentin prej mbi 35 mijë vaksina nga Amerika. Jemi mirënjohës për këtë ndihmë, falënderojë të gjitha që po dhurojnë për përkrahjen e dhënë në një periudhë të vështirë”.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore