Sport

Allegri tregon kur do t’i kthehen lojtarët Juventus-it


Gjatë konferencës së tij për media para kryendeshjes të së premtes ndaj Napolit, Massimiliano Allegri publikoi përditësimet më të fundit për lojtarët e lënduar të Juventus-it, duke thënë se Juan Cuadrado mund të kthehet në aksion javën e ardhshme.

Bardhezinjve do t’i mungojnë disa lojtarë kyç në ndeshjen e tyre shumë të rëndësishme kundër Napolit.

Dusan Vlahovic, Paul Pogba, Juan Cuadrado, Mattia De Sciglio, Kaio Jorge dhe Leonardo Bonucci janë ndër ata që nuk do t’i bashkohen skuadrës në Napoli.

“Disa lojtarë mund të kthehen në aksion shumë shpejt”, tha Allegri.

“Cuadrado mund të kthehet në stërvitje me ekipin të martën. Ai është i vetmi që mund të jetë në dispozicion kundër Monza-s në Coppa Italia”, shtoi tekniku italian.

“Duhet të shoh, ai ende nuk është stërvitur me ekipin. Të tjerët po ndihen më mirë dhe ne jemi optimistë”, tha Allegri.

Bianconerët do të presin Monza-n në raundin e 16-të të Kupës së Italisë të enjten, më 19 janar.

Të dy, Paul Pogba dhe Dushan Vlahovic u stërvitën pjesërisht me grupin të mërkurën. Mesfushori francez është duke u rikuperuar pas operacionit të meniskut në shtator, ndërsa Vlahovic po përballet me një dëmtim në ijë.

Hera e fundit që ai luajti për Juventusin ishte më 25 tetor, në humbjen 4:3 kundër Benfica-s në Ligën e Kampionëve.

Reprezentuesi serb vazhdoi të luftonte në Kupën e Botës dhe filloi vetëm një lojë në Katar, duke shënuar një gol në dy paraqitje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore