Lajme

Aliu tregon se çfarë përmban Projektligji për Rregullat e Trafikut Rrugor


Liburn Aliu

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, përmes një postimi në platformën sociale, Facebook, ka bërë të ditur që në seancën e Kuvendit të Kosovës të enjten me 61 vota për ka kaluar Projektligji për Rregullat e Trafikut Rrugor.

Aliu ka dhënë detaje se nëpërmjet këtij ligji do të përcaktohen rregullat në bazë së sjelljes së pjesëmarrëseve në trafikun rrugor.

“Ligji Aktual ka zbrazëtira ligjore si në aspektin e harmonizimit me AQUIS të BE-së, si në ato të Konventave Ndërkombëtare, si Konventa e Gjenevës (1945) dhe Vjenës (1968) për Trafikun Rrugor, në mungesë të anëtarësimit në këto dy Koventa”, ka njoftuar ai.

Aliu ka treguar se në Projektligjin për Rregullat e Trafikut Rrugor janë 12 ndryshime që duhet te bëhen domosdoshmërisht.

Ndryshimet që do të bëhen nëpërmjet këtij Projektligji, sipas Aliut, ndër të tjera përfshinë lehtësimin e shkëmbimit të informative ndërkombëtare në çështjet e gjobave të lidhura me sigurinë në trafik;

Sipas këtij Projektligji, Aliu ka njoftuar se do të rriten edhe shumat e gjobave për kundërvajtje në trafik.

Projektligji në fjalë ndër të tjera, sipas Aliut, do të rregullojë edhe trafikun e trotineteve elektrik.

Ministri Aliu ka njoftuar se projektligji përmban dispozitat që rregullojnë veprimet në autoudhë ku parashihen ngritjet e gjobave për shkak të rrezikshmërisë.

Në njoftimin e Aliut janë edhe disa rregulla të tjera.

“Dispoziatat për drejtimin e mjetit motorik ku janë përshkallëzuar gjobat pa patentë shoferë dhe me patentë shofer jo valid. Përcaktimi i përdorimit të video incizimeve si provë e shkeljeve nga pjesëmarrësit në trafik. Identifikimi i kundërvajtjes me pajisje elektronike për shqiptimin e gjobave elektronike”.

“Bartja e përgjegjësisë tek pronari i automjetit, për rastin kur nuk mund të identifikohet shoferi i cili ka bërë kundërvajtje në trafikun rrugor; Dispozitat e veçanta ndaj shoferëve që ndotin rrugën me rrotat me baltë nga rruga e dheut, vendpunishtja dhe çfardo materiali që e ndotë rrugën”.

“Rregullimi i dispozitave lidhur me çështjen e masës mbrojtëse ‘ndalim i drejtimit të mjetit me veprim motorik’ për përsëritësit e shkeljeve. Pasojat juridike të dënimeve janë rregulluar në mënyrë të detajuar”, ka shkruar Aliu.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore