Lajme

Aliu: Financimi i projektit për rrugën Prizren-Tetovë do bëhet proporcionalisht  


Foto: Liburn Aliu

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, duke folur për nënshkrimin e marrëveshjes për bashkëfinancimin e hartimit të projektit për ndërtimin e tunelit për rrugën Prizren-Tetovë, ka thënë se financimi i këtij projekti do të bëhet proporcionalisht, pra nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut.

Në Shkup, Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë nënshkruar këtë të premte marrëveshjen për bashkëfinancimin e projektit për ndërtimin e rrugës Tetovë-Prizren.

“Financimi i këtij projekti, përfshirë ndërtimin e tunelit në rrugën Tetovë-Prizren, do të ndahet proporcionalisht në përputhje me gjatësinë e tij në secilën anë, ndërsa projektimi i secilës pjesë para dhe pas tunelit do të jetë i financuar nga palët përkatëse”, ka shkruar Aliu në Facebook.

Ministri theksoi se kjo rrugë krijon një lidhje të sigurt dhe të qëndrueshme mjedisore të transportit për njerëz dhe mallra, “duke forcuar edhe ndërlidhjen midis parqeve kombëtare, destinacioneve turistike dhe korridoreve rrugore në mes Republikës tonë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut”.

“Ndërkaq, si lidhje e dy rrugëve në pikën më të afërt mes tyre, përveç se i ofron dy qytetet dhe dy shtetet tona, gjithashtu mundëson krijimin e një korridori rrugor të ri me ndikim në skenën rajonale të Ballkanit, duke i lidhur jo vetëm Prizrenin me Tetovën, por edhe Prishtinën me Durrësin dhe Tiranën, përmes autostradës ‘Ibrahim Rugova’”, shtoi.

Ai ka falënderuar Ministrin e Transportit dhe Lidhjeve të Maqedonisë së Veriut, Blagoj Boçvarski, si dhe zëvendësministrat Bekim Rexhepi dhe Hysen Durmishi, si dhe të gjithë ekspertët e ndryshëm, “për pjesëmarrjen dhe kontributin e tyre të pamohueshëm në arritjen e marrëveshjes së bashkëfinancimit”.

“Kontributi i gjithsecilit është jetësor për zhvillimin dhe suksesin e këtij projekti, i cili ka ndikim të jashtëzakonshëm në zhvillimin ekonomik e infrastrukturor të vendeve tona si dhe integrimin rajonal”, vlerësoi ai.

Për aksin rrugor Prizren-Tetovë ekziston një marrëveshje midis dy qeverive e nënshkruar fillimisht nga ish-kryeministri maqedonas, Zoran Zaev dhe më vonë e vazhduar nga kryeministri aktual Dimitar Kovaçevski.

Për këtë çështje, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë muajit gusht e vizitoi komunën e Tetovës.

Aktualisht prej Tetovës në Prizren, rruga është 109 kilometra, ndërkaq me rrugën e re parashikohet të shkurtohet për 69 kilometra, gjegjësisht kjo rrugë do të jetë e gjatë 40.6 kilometra.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore