Sport

Albin Tahiri: Është diçka e pabesueshme, kurrë nuk e kam imagjinuar të jem në top 15


Albin Tahiri gjatë garës së tij në kombinimin alpin gjatë Lojërave Olimpike Dimërore "Beijing 2022"

Skitari nga Kosova, Albin Tahiri, sot e ka arritur rezultatin më të mirë në histori të Kosovës në kuadër të Lojërave Olimpike Dimërore, “Beijing 2022”.

Shqiptari ka arritur që në disiplinën e kombinimit alpin të përfundojë në vendin e 15-të, rezultat ky që është më i miri në histori të shtetit të Kosovës.

Pas paraqitjes së tij, Tahiri u shpreh shumë i lumtur – duke shprehur qartë krenarinë e tij mbi arritjen që ka bërë sot.

“Une jam shumë shumë krenar me rezultatin më të mirë të Kosovës në histori të lojërave olimpike dimërore”, tha ai.

“Është diçka e pabesueshme”, vazhdoi ai, “nuk e kam imagjjnuar kur top 15-shin, qëllimi im ishte hyrja në top 30, por sot arrita shumë më shumë”.

Për paraqitjen e sotme, Tahiri tha që pjesa më e vështirë sot ishte lëshimi.

“Kjo disiplinë është e vështirë, por sot nuk bëra shumë gabime andaj kisha pozitë edhe më të mirë në sllallom”, tha Tahiri.

Sa i përket sllallomit, Tahiri tha që nuk e dinte çfarë të priste në sllallom sepse nuk kishte bërë stërvitjet maksimale.

“Mirëpo”, shtoi ai “ testet që bëra për të provuar skitë ishin shumë të mira dhe unë u ndjeva mirë”.

“Ishte shumë e vështirë, sepse bora këtu është shumë e fortë, mirëpo pas dy, tri lëshimeve u ndjeva mirë dhe këmbët i kisha më të shpejta”, u shpreh Albini.

Albin Tahiri do të garojë edhe më 13 dhe 16 shkurt, në sllallom dhe sllallom të madh.

Për garat e ardhshme, ai u shpreh:

“Natyrisht, është e mahnitshme të jesh në top 15 dhe tani nuk kam presion, do t’i shijoj garat tjera në maksimum, çfarë do që ndodh do të jetë mirë – sepse unë arrita çfarë desha”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore