Lajme

Albin Kurti – opozitarëve për dialogun: Nëse i keni rënë pishman, ejani punojmë bashkë


Parlamenti i Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur i gatshëm të takohet me deputetët dhe liderët e partive opozitare, që të diskutojnë në lidhje me politikën e jashtme dhe çështjen e dialogut me Serbinë.

“Në secilën ditë të javës e në secilën orë të ditës, unë jam i gatshëm të takohem me cilindo lider të opozitës, i cili nuk pajtohet me parimet dhe qëndrimet tona për dialogun dhe ka propozime të tjera se si ta mbrojmë interesin e vendit”, është shprehur Kurti para deputetëve, në prezantimin e programit qeverisës 2021-2025.

Tutje ai ka theksuar se pozita dhe subjektet politike opozitare mund të mos pajtohem për shumë çështje, por ai ka kërkuar që të provojnë të pajtohen karshi politikës ndaj Serbisë.

“Të mos harrojmë që ju që keni qenë në pushtet në këto dy dekada që i lamë pas, keni bërë tashmë një trashëgimi që na ka ngelur neve. Po të kishim një qeveri të tillë sa ne ishim në opozitë do të bashkëpunonim në secilin hap, por karshi Serbisë duhet të jemi të bashkuar në bashkim e qëndrim”, shtoi ai.

Sipas Kurtit, pjesa më e madhe e punës dhe e energjisë së tij në dialog është në zhbërjen e dëmit që sipas tij e kanë shkaktuar këto parti që tashmë janë në opozitë.

“Tani kemi një qeveri e cila jo vetëm se nuk do të sjellë marrëveshje të dëmshme por është e angazhuar që të zhbëjë edhe dëmet që i keni shkaktuar ju”, ka thënë Kurti.

Ai duke thënë se nëse këta liderë të opozitës janë penduar për marrëveshjet që janë bërë gjatë gjithë kësaj kohe, ai i ka ftuar të gjithë që të punojnë së bashku dhe t’i përmisojnë këto marrëveshje.

“Marrëveshja për asociacionin, për fusnotën, për gjykatat e universitetin paralel në veri të Mitrovicës, hapjen e çështjes së statusit, krijimin e diskursit për shkëmbime territoriale e marrëveshje të tjera të dëmshme që ju na latë trashëgim. Nëse i keni rënë pishman për këto marrëveshje e me sa ju kam dëgjuar shpresoj që po, atëherë ejani të punojmë së bashku që t’i përmirësojmë”.

Ndërsa, sa i përket projekteve dhe ndjekjes së politikave që sipas Kurtit e dëmtojnë sovranitetin dhe interesin e Republikës, ai ka thënë se do ta kenë aleatin e parë përballë tyre.

“Unë jam kundërshtari i parë dhe këtë e kam dëshmuar tashmë që moti”, përfundoi kryeministri Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka prezantuar programin qeverisës, para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore