Sport

Al-Ahli e rrit ofertën për Pogba-n


Gazeta italiane, “La Gazzetta dello Sport”, pretendon se skuadra nga Arabia Saudite, Al-Ahli, e ka rritur ndjeshëm ofertën e tyre për Paul Pogba-n në një përpjekje për ta transferuar nga Juventusi.

30-vjeçari francez ndezi thashethemet pasi u pa në Jeddah kohët e fundit. Ndërsa udhëtimi ishte për arsye personale, ai raportohet se vizitoi objektet e Al-Ittihad dhe Al-Ahli.

Javën e kaluar dolën raporte se Pogba-s i ishte ofruar një marrëveshje trevjeçare me vlerë rreth 100 milionë euro neto nga Al-Ahli, një ofertë e cila me sa duket nuk arriti ta bindte mesfushorin.

Siç raportohet nga “La Gazzetta dello Sport”, Al-Ahli tani është gati të dërgojë një ofertë të re për Pogba-n me vlerë rreth 150 milionë euro në total gjatë tre viteve.

Në anën tjetër, thuhet se Juventus-i do të ishte i gatshëm ta shesë francezin për vetëm 10 milionë euro këtë verë, duke i lejuar ata të shmangin humbjen e kapitalit për 30-vjeçarin, i cili fiton mbi 10 milionë euro bruto në sezon në Torino.

Mediumi francez, “L’Equipe” raportoi dje se Pogba nuk ishte i interesuar për lëvizjen drejt Arabisë Saudite, i prirur për të shpenguar veten me Juventus-in.

Sezoni i fundit ishte dëshpërues për Pogba-n, i cili luajti vetëm 161 minuta në 10 paraqitje gjithsej, duke u përballur me një numër të madh dëmtimesh.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore