Shqipëria

AKVMB dhe AKU, rritje kontrolli për sigurinë ushqimore gjatë festave


Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural nëpërmjet institucioneve të veta, Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) dhe Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve (AKVMB), ka intensifikuar inspektimet në thertore të ndryshme të vendit.

Kjo përpjekje vjen si pasojë e mbrojtjes së sigurisë së konsumatorit në të festave të fundvitit, kur konsumi i mishit rritet ndjeshëm.

Sipas ministrisë, inspektime po kryhen në të gjithë Shqipërinë, për të garantuar produkte të sigurta për secilin konsumator.

“Rregullimet në kontrollet veterinare kanë mundësuar që prej datës 15 tetor, që thertoret e licensuara dhe tregjet e kafshëve të licensuara, të kenë në praninë e tyre një veteriner zyrtar, i cili siguron që gjithë procesi të kryhet sipas standardeve të miratuara nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.”

Kështu është shprehur ministrja Frida Krifca në fjalën e saj, gjatë inspektimit në thertore, në Mengel të Elbasanit.

Sipas saj, ka një rritje të numrit të therjeve të formalizuara gati trefish që prej datës 15 tetor.

Ministrja i ka drejtuar thirrje të gjithë konsumatorëve në këtë fundvit që t’i drejtohen pikave të tregtimit që respektojnë standardet ushqimore.

Ndërkohë, Krifca ka sugjeruar se AKU-ja dhe AKVMB-ja janë në terren për të siguruar që konsumatorët shqiptarë do të gjejnë produkte të sigurta nga ferma në tavolinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore