Lajme

Akuzat e Vuçiç-it, Kamberi: Ideatori i “Botë serbe” po akuzon se të tjerët janë luftënxitës


Shaip Kamberi dhe Aleksander Vucic

Deputeti i vetëm shqiptar në parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka reaguar pas akuzave të presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, kinse shqiptarët po proklamojnë idenë e “Shqipërisë së Madhe”, kjo pas shfaqjes së flamurit “Autoctonus”, në koncertin e organizuar në Tetovë për nder të vizitës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Kamberi përmes një shkrimi në Facebook, të cilin e ka titulluar “Kush po e destabilizon Ballkanin?”, ka thënë se në Beograd dhe nëpër shumë qytete në Serbi, sikurse edhe në shtetet tjera ku jetojnë serbët, “me stilin e zjarrit, po paraqiten murale me tekstin ‘Kur ushtria të kthehet në Kosovë’ (Kad se vojska na Kosovo vrati)”.

“Në Beograd, simbolikisht ky mural është vendosur në objektin e gjeneralshtabit të ushtrisë së Serbisë (të bombarduar gjatë 1999), ndërkohë që murale të ngjashme shihen edhe në Bosnje e Mal të Zi”.

Presidenti autokrat serb, Aleksandër Vuçiç, pohoi ai, “ditëve të fundit, sidomos pas disa editorialeve të prestigjiozeve botërore që po e kritikojnë qasjen e tij në politikat rajonale, ka filluar të lansoi akuza në drejtim të shqiptarëve për tentative të destabilizimit të Ballkanit përmes idesë së ‘Shqipërisë së Madhe’.

“Ideatori i ‘Botës serbe’, ide e ideologji politike, vazhdimësi e politikës së Sllobodan Millosheviç-it për shtetin që përfshinë të gjithë serbët, i cili me veprime konkrete në Kosovë, Bosnje e Mal të Zi po kërcënon paqen në Ballkanin e brishtë, po akuzon të tjerët se janë luftënxitës”, theksoi ai.

Mirëpo, deputeti shqiptar në parlamentin e Serbisë, pohon se nuk ka veprim më luftënxitës se parulla për “kthimin e ushtrisë serbe në Kosovë”.

“Kërkojnë kthimin e ushtrisë në territorin në të cilin gjatë periudhës 1998 – 1999 ka kryer krime të rënda lufte, masakra dhe krime kundër njerëzimit dhe nga i cili janë larguar pas kapitullimit në luftë”.

Edhe përkujtimi i përvjetorit të operacionit ushtarak kroat “Stuhia” në Prijedor nga presidenti serb së bashku me presidentin ultra-nacionalist të Republikës Srpska – entiteti serb në BeH – Millorad Dodik, “në qytetin në të cilin forcat militare e paramilitare serbe kanë vrarë mbi 3100 njerëz prej të cilëve mbi 100 fëmijë dhe 260 gra”, sipas Kamberit “është veprim luftënxitës”.

“Qëllimi i gjithë këtij teatri në Prijedor ishte tentativë për revidim të historisë duke paraqitur serbët si viktima, mbështetur në mitin e dytë mesjetar serb se ‘serbët janë viktima të përhershme, ndërsa të tjerët komplotojnë për zhdukjen e tyre’”.

Ndërsa, ai shpërndau një pjesë të tekstit autorial të botuar në të përditshmen zvicerane “Neu Zuercher Zeitung”, Aleksandër Rhoterta, ish i punësuar në zyrën e Përfaqësuesit të Lartë në BeH, ku akuzon Vuçiç për rrezikim të paqes së rajonit.

“Paqja në Ballkan, 30 vjet pas përfundimit të luftës në Bosnje, nuk është vetëm e brishtë, por e rrezikuar në mënyrë akute për shkak të aspiratave të presidentit serb për të vazhduar me projektin e ‘Serbisë së madhe’, të paraardhësit të vet Sllobodan Millosheviç”, shkruan ndër të tjera Rhoterta në artikullin e tij.

Edhe letra e më shumë se 50 ligjvënësve amerikano-evropianë dërguar kryediplomatëve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku kërkohet qasje më të ashpër ndaj Serbisë dhe presidentit të saj, Kamberi thotë se “paraqet një vërejtje serioze për politikbërësit tolerant ndërkombëtar”.

“Presidenti serb në vend se të fajësoj të tjerët dhe fajtorin të gjejë në Shkup, Tetovë, Prishtinë, Ulqin apo Bujanoc e Preshevë, është mirë të kthejë kokën ka Beogradi, Krushevci, Banjaluka, e qytetet e tjera në Serbi e ku jetojnë serbët për të ndaluar këtë fushatë histerike e të pakuptimtë rreth aspiratave imagjinare për ‘kthim triumfal në Kosovë’”.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, më 13 gusht ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës në Maqedoninë e Veriut, përkatësisht në dy komunat me shumicë shqiptare – Çair dhe Tetovë – “ka promovuar idenë e Shqipërisë së Madhe” dhe se u prezantua si kryeministër “i gjithë shqiptarëve”.

“Aty u promovua ideja e ‘Shqipërisë së madhe’, u theksuan simbolet e saja, e Kurti u prezantua si kryeministër i të gjithë shqiptarëve”, tha Vuçiç në një intervistë për televizionin pro qeveritar “TV Pink”.

Vuçiç: Kurti në Tetovë promovoi “Shqipërinë e Madhe” – u prezantua si kryeministër i gjithë shqiptarëve

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore