Lajme

Vuçiç: Kurti në Tetovë promovoi “Shqipërinë e Madhe” – u prezantua si kryeministër i gjithë shqiptarëve


Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës në Maqedoninë e Veriut, “ka promovuar idenë e Shqipërisë së Madhe” dhe se u prezantua si kryeministër “i gjithë shqiptarëve”.

“Aty u promovua ideja e ‘Shqipërisë së madhe’, u theksuan simbolet e saja, e Kurti u prezantua si kryeministër i të gjithë shqiptarëve”, tha Vuçiç në një intervistë për televizionin pro qeveritar “TV Pink”.

Vuçiç tha se emërtimi i një rruge në Çair me emrin e Adem Demaçit, është vendim “skandaloz”, derisa ka shtuar se “Demaçi është një njeri që kaloi 28 vjet në burg në kohën e Titos që ishte liberal për atë kohë, si ideologu dhe separatisti më i keq dhe më i madh i ‘Shqipërisë së Madhe’.

“Demaçi ishte mentor dhe idhull i Kurtit”, ka shtuar ai.

“Shikoni ideologjinë e tij, ai nuk do të sulmonte vetëm Serbinë qendrore, por edhe Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, e pyetja është se çfarë do të ndodhte edhe me Shqipërinë”, ka pyetur Vuçiç.

Po ashtu kreu i shtetit serb ka pretenduar se “përpjekjet e Kurtit për të krijuar trazira, po marrin mbështetje të heshtur nga një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare”.

“Ne duhet të përpiqemi të mbrojmë popullin dhe vendin tonë, të ruajmë paqen, të pranojmë kompromise, të dorëzohemi kur është e mundur, të ruajmë paqen, por gjithmonë të forcojmë ushtrinë tonë”, tha ai.

Pas shfaqjes së flamurit “Autoctonus” në Tetovë ka reaguar edhe presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, i cili ka kërkuar nga organet kompetente që organizatorët e pritjes së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në Tetovë dhe Çair të dënohen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore