Shqipëria

Akuza se s’ka mjete, Mbrojtja kthen përgjigje: Forcat e Armatosura i disponojnë dhe i kanë në gatishmëri


Ministria e Mbrojtjes në Shqipëri ka dalë në një reagim zyrtar, duke iu përgjigjur akuzave se përse nuk po përdoren helikopterët e Forcave të Armatosura për të shuar flakët në ishullin e Sazanit.

Sipas ministrisë, Forcat e Armatosura disponojnë dhe kanë në gatishmëri mjetet e nevojshme fluturuese, të parashikuara për përdorim në përmbushje të detyrave e operacioneve që duhet të kryejnë edhe në raste emergjencash si zjarret.

Ishin kryetari i sapozgjedhur i Partisë Demokratike, Sali Berisha, si dhe kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, që hodhën akuza se qeveria nuk disponon mjete për shuarjen e zjarrit.

“Të gjithë helikopterët nuk ngrihen dot në ajër. Anijet e flotës detare nuk janë në gatishmëri”, tha Berisha.

Në përgjigje, nga Ministria theksohej se FA-të kanë në gatishmëri helikopterë të lehtë, por që në specifikat e përdorimit të tyre kanë kufizime për të marrë pjesë dhe për të përmbushur detyra në raste të llojeve të ndryshme të operacioneve të emergjencave”, vijonte njoftimi i Ministrisë.

Ndërsa ravijëzohej se Forcat Ajrore kanë helikopterë të kompletuar dhe të pajisur me mjete për operacione për mbështetje të emergjencave mjekësore, si dhe helikopterë ushtarakë të mesëm modernë të gjeneratës së katërt.

Ndërkaq njoftohej se mjetet fluturuese u nënshtrohen kërkesave rigoroze të mirëmbajtjes dhe riparimit, bazuar mbi periudha përdorimi dhe kohë fluturimi.

“Në këtë proces, një pjesë e helikopterëve ushtarakë ‘Cougar’, të cilët prej një kohe të gjatë kanë qenë pjesëmarrës aktivë në operacione të shumta të emergjencave në kohë përmbytjesh, zjarresh, tërmeti, kushteve ekstreme të motit, në ndihmë të komunitetit, pjesëmarrjes në stërvitjet e ndryshme në Forcat e Armatosura, si dhe atyre me NATO-n të zhvilluara në vendin tonë, kanë kaluar në procesin e mirëmbajtjes dhe vënies në gatishmëri, në nivelin e tretë të mirëmbajtjes, proces që bëhet vetëm nga uzina jashtë vendit, të specifikuara për këtë nivel modern pajisjesh”, theksohej nga Ministria.

Ndërsa, një pjesë e helikopterëve “Cougar” – të riparuar përmes praktikës së re të bashkëpunimit me Agjencinë e Prokurimit të NATO (NSPA) – ndodhen në Shqipëri.

“Ndërkohë për çdo situatë dhe nevojë reale kur vihet në rrezik jeta e njerëzve apo banesat Shqipëria bashkëpunon me Mekanizmin e Bashkimit Evropian të Mbrojtjes Civile, ‘Emergency Response Coordination Centre’ (ERCC) dhe në bashkëpunim me partnerët e saj është në gjendje të garantojë sigurinë”, thuhej nga Ministria.

Nga ana tjetër, Ministria vuri në dukje se më herët kanë deklaruar se, “kapacitetet tona të brendshme janë të limituara”.

“Po ashtu, edhe vende si Turqia, Greqia apo Italia mbështeten te mekanizmi evropian, sepse emergjencat specifike natyrore nuk përballohen dot vetëm me kapacitete të brendshme”.

Ndër të tjera, njoftimi është përmbyllur me një mesazh për median.

“Në vëmendje të medias kujtojmë se tabela e organizimit dhe pajisje të FA-së, numrave dhe dokumenteve që lidhen me të konsiderohet informacion i klasifikuar konfidencial”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore