Lajme

Aktori amerikan Danny Masterson shpallet fajtor për dy akuza për përdhunim


Një trup gjykuese në Los Angeles e ka shpallur fajtor aktorin amerikan Danny Masterson për dy nga tre akuzat e përdhunimit.

Ai rrezikon deri në 30 vjet burg.

Tre gra e akuzuan aktorin për sulm seksual në shtëpinë e tij në Hollywood nga viti 2001 deri në vitin 2003.

Prokurorët argumentuan se Masterson ishte mbështetur në statusin e tij si një scientologjist i shquar për të shmangur përgjegjësinë.

Kjo pasi të tria gratë ishin ish-anëtare të Kishës së Scientologjisë.

Trupa gjykuese e përbërë nga shtatë gra dhe pesë burra nuk ishte në gjendje të merrte një vendim për një akuzë të tretë pas një jave diskutimesh.

Një nga viktimat e tij, e cila u përdhunua në vitin 2003, ka treguar se po përjetonte një sërë emocionesh komplekse duke e ditur se Masterson do të përballet me përgjegjësi për sjelljen e tij.

Një tjetër juri në një gjyq të mëparshëm nuk ishte në gjendje të merrte një vendim në dhjetor 2022.

Prokurorët zgjodhën të rigjykojnë Masterson dhe këtë herë gjyqtari lejoi avokatët të paraqesin prova të reja që ishin ndaluar nga gjyqi i parë.

Masterson u akuzua për herë të parë për përdhunim në vitin 2017 gjatë kulmit të lëvizjes #MeToo.

Ai u përgjigj duke thënë se nuk ishte akuzuar apo dënuar për një krim dhe se në klimën e asaj kohe “duket sikur prezumohesh fajtor në momentin që akuzohesh”.

Akuzat erdhën pas një hetimi tre-vjeçar nga Departamenti i Policisë së Los Angeles-it. Prokurorët nuk ngritën akuza në dy raste të tjera për shkak të provave të pamjaftueshme dhe skadimit të parashkrimit.

Gjatë gjithë gjyqit, prokurorët argumentuan se Kisha e Scientologjisë kishte ndihmuar në fshehjen e sulmeve – një pretendim që organizata e ka mohuar kategorikisht.

Në kohën e sulmeve, ai dhe të tre akuzueset e tij ishin scientologë. Disa nga gratë thanë se iu deshën vite për t’u paraqitur, sepse zyrtarët e Kishës së Scientologjisë i dekurajuan ato të raportonin përdhunimin në polici.

Në vend të kësaj, u detyruan të mbështeteshin në sistemin e brendshëm të drejtësisë të Kishës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore