Kosova

Arsyeja e grumbullimit të serbëve në Veri mund të jetë kërcënimi i aktivistit politik Aleksandër Arsenijeviç


Aleksandër Arsenijeviç

Arsyeja e grumbullimit të qytetarëve serb para hyrjes në stacionin e Policisë së Kosovës dhe objektit të gjykatës në pjesën Veriore të Mitrovicës, sipas mediave të Kosovës të cilët raportojnë në gjuhën serbe, mund të jetë arrestimi i një Inspektori i Komunës së Mitrovicës Veriore, me iniciale N.R., pasi ky i fundit ishte denoncuar në Policinë e Kosovës nga Aleksandër Arsenijeviç.

Ndryshe Arsenijeviç, lideri i iniciativës qytetare “Mbijetesa Serbe”, i cili po cilësohet si kundërshtari i Listës Serbe në Veri, ka bërë të ditur se është kërcënuar nga një zyrtar i Listës Serbe në komunën e Mitrovicës së Veriut, pasi i njëjti ka denoncuar në institucionet relevante një ndërtim pa leje pranë selisë së Listës Serbe.

Fjala është për një ndërtim me konstrukte metalike para objektit ku ndodhet selia e Listës Serbe, për të cilën Arsenijeviç ka kontaktuar Inspektorin Komunal me iniciale N.R. për ta denoncuar rastin.

Mirëpo inspektori në fjalë, i cili sipas Arsenijeviç, është edhe zyrtar i Listës Serbe përpos se nuk e ka dëgjuar denoncimin e tij, e ka kërcënuar këtë të fundit.

Foto nga KoSSev, qytetarët në rrugë

“Inspektori Komunal më injoroi, më pas e thirra përsëri në telefon dhe i thashë se si qytetarë doja të denoncoja një rast të një ndërtimi pa leje”, ka thënë Arsenijeviç.

Arsenijeviç, i cili është kritik i Listës Serbe thotë se kërcënimet të cilët ai ka marrë nga ky zyrtar, i ka denoncuar në Polici.

“Më tha se nëse më telefonon prapë si sot, do të shohësh se çfarë do të ndodhë”, ka thënë Arsenijveçi duke ju referuar bisedës së tij me zyrtarin e Listë Serbe.

Kërcënimet ai ia atribuon presionit politik dhe shton se policia i ka thënë se do të hapin një rast dhe do t’i “marrin seriozisht” kërcënimet e përmendura.

Arsenijeviç po ashtu pohon se ka edhe qytetarë të tjerë që janë kërcënuar nga ky inspektor dhe anëtar i Listës Serbe.

Kamioni që e ka bllokur rrugën, foto nga KoSSev

https://albanianpost.com/serbet-grumbullohen-para-stacionit-policor-ne-veri/

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore