Lajme

Aktivisti egjiptian merr nënshtetësinë britanike në burg


Alaa Abd El Fattah

Aktivisti Alaa Abd El Fattah, figurë kyçe e revolucionit të Egjiptit në vitin 2011, ka marrë nënshtetësinë britanike nga brenda burgut, ku po vuan dënimin prej tre vjetësh.

Abd El Fattah, së bashku me motrat e tij Mona dhe Sanaa, fituan nënshtetësinë e Mbretërisë së Bashkuar përmes nënës së tyre, profesoreshës së matematikës Laila Soueif, e cila lindi në Londër në vitin 1956.

Si shtetas britanik, Abd El Fattah ka kërkuar komunikimin me avokatët e familjes në Britaninë e Madhe “në mënyrë që ata të marrin të gjitha masat e mundshme ligjore në lidhje me të gjitha krimet kundër njerëzimit që ai ka dëshmuar gjatë burgimit të tij”, thuhet në një deklaratë të lëshuar nga motrat e Abd El Fattah.

Lajmi vjen 10 ditë pas një greve urie, të cilën Abd El Fattah filloi më 2 prill, ditën e parë të Ramazanit, në shenjë proteste ndaj kushteve të burgut.

“Për dy vjet e gjysmë ai është mbajtur në një qeli pa rreze dielli, pa libra, pa stërvitje. Vizitat e tij i janë prerë një anëtari të familjes, për 20 minuta në muaj, përmes xhamit, pa asnjë moment privatësie apo kontakti”, thuhet në deklaratë.

“Ky është një shtetas britanik i arrestuar në mënyrë të paligjshme, në kushte të tmerrshme, thjesht për ushtrimin e të drejtave të tij themelore për shprehje dhe shoqërim paqësor”, tha Daniel Furner, një nga avokatët e familjes, për agjencinë e lajmeve “Associated Press”.

Alaa Abd El Fattah

Zyra e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

Marrja e një pasaporte perëndimore mund të jetë një mënyrë që Abd El Fattah të lirohet. Një pjesë e vogël e aktivistëve me shtetësi të dyfishtë u detyruan të hiqnin dorë nga shtetësia e tyre egjiptiane vitet e fundit si kusht për lirimin e tyre, manovër ligjore që lejon autoritetet t’i dëbojnë të huajt e akuzuar për krime.

Abd El Fattah është arrestuar disa herë më parë, nën qeveri të ndryshme, për lobim për të drejtat civile në mediat sociale dhe në publik.

Një bloger me ndikim, ai rrjedh nga një familje aktivistësh politikë, avokatësh dhe shkrimtarësh. Babai i tij i ndjerë ishte një nga avokatët më të palodhur të të drejtave të Egjiptit.

Abd El Fattah u dënua në dhjetor të vitit të kaluar me pesë vjet burg, pasi u dënua së bashku me dy të tjerë për “transmetim të lajmeve të rreme”.

Ai tashmë ishte në paraburgim në burgun Tora të Kajros që nga shtatori i vitit 2019.

Abd El Fattah e ka kaluar pjesën më të madhe të dekadës pas hekurave, duke qenë gjithashtu i arrestuar nga ish-presidentët Hosni Mubarak, i cili u rrëzua në revolucion.

Grupet e të drejtave thonë se Egjipti po mban rreth 60 mijë të burgosur politikë, shumë prej të cilëve përballen me kushte brutale dhe qeli të mbipopulluara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore