Lajme

Aktivistët “të gatshëm për të rrezikuar jetën” për të ndaluar minierën e qymyrit


Qindra aktivistë të klimës kanë ngritur një barrikadë teksa janë ulur në karrige në formë proteste në një fshat të braktisur në perëndim të Gjermanisë.

Ata janë të gatshëm të rrezikojnë jetën e tyre për të parandaluar nxjerrjen e qymyrit.

Fshati Lützerath në North Rhine Westphalia (NRW) është zbrazur nga banorët, të cilët të gjithë janë zhvendosur.

Rreth 700 protestues kundër qymyrit, të cilët filluan të pushtojnë fshatin e shkretë dhe rrethinat dy vjet e gjysmë më parë, duke u strehuar në shtëpi të zbrazëta, ndërtesa dhe toka bujqësore, po përgatiten për një përballje me policinë.

Kjo pasi u lëshuan nga një gjykatë lokale urdhrat e dëbimit, urdhra që janë të vlefshëm prej kësaj të marte të 10 janarit.

Javët e fundit, numri i protestuesve është rritur pasi qindra aktivistë nga Gjermania dhe e gjithë bota i bashkohen protestës.

Këtë javë, policia pritet të nisë një operacion pastrimi për t’i hapur rrugën kompanisë energjetike RWE për të minuar vendin.

Qeveria gjermane ka njoftuar se operacioni është i nevojshëm pasi vendi redukton varësinë e tij nga gazi dhe nafta ruse.

Lützerath dhe fshatrat përreth kanë qenë në qendër të vëmendjes së aktivizmit të klimës që nga viti 2013, kur gjykata kushtetuese e Gjermanisë vendosi se lejimi i zgjerimit të minierës së hapur të qymyrit Garzweiler ishte jashtëzakonisht në interesin publik.

Aktivistët kishin shpresuar se hyrja në qeverinë gjermane e të Gjelbërve miqësorë me mjedisin një vit më parë mund të çonte në rrëzimin e vendimit.

Por ministri i ekonomisë i të Gjelbërve Robert Habeck dhe Mona Neubauer ministrja e ekonomisë e NRW, gjithashtu e të Gjelbërve, arritën një marrëveshje kompromisi vitin e kaluar me RWE për të çuar përpara ndërprerjen e qymyrit të Gjermanisë në rajon me tetë vjet deri në vitin 2030.

Kompania ra dakord të shpëtojë pesë fshatra të planifikuara për prishje dhe të shkatërrojë vetëm Lützerath, si pjesë e planeve të zgjerimit.

Kjo do t’i japë asaj akses në rreth 280 milionë ton qymyr.

Aktivistët e klimës së lëvizjes Lützi Bleibt, të cilët banojnë në tenda, kasolle prej druri dhe u jepen ushqime dhe furnizime të tjera nga një numër në rritje i mbështetësve, argumentojnë se planet janë fatale për qëllimet e mbajtjes së ngrohjes globale nën 1.5 gradë Celsius mbi nivelet para-industriale.

Dhe fati i fshatit bujqësor që daton të paktën në shekullin e XII-të është bërë i lidhur pazgjidhshmërisht me debatin mbi angazhimin e Gjermanisë për të ndaluar djegien e qymyrit, i cili konsiderohet si një nga burimet më ndotëse të energjisë.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore