Lajme

Aktakuzë ndaj 27 personave, po akuzohen për kontrabandim të mbi 700 migrantëve


Prokuroria Speciale

Prokuroria Speciale e Kosovës, këtë të mërkurë, ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë kundër 27 të pandehurve.

Sipas njoftimit të organit të akuzës të pandehurit po akuzohen për kontrabandim të mbi 700 migrantëve, kryesisht sirianë.

“Prokuroria Speciale njofton se aktakuza kundër 27 të pandehurve është ngritur për shkak se të njëjtit në tërë territorin e Kosovës, në bashkëveprim në mes vete janë marrë me veprimtarinë e kundërligjshme të ‘Kontrabandimit të migrantëve’, kryesisht shtetasve Sirian, ku i është mundësuar më shumë se 700 personave kalimi nga Republika e Shqipërisë përmes territorit të Kosovës dhe kalimi i tyre në Republikën e Serbisë, e që qëllim kishin shkuarjen në vendet evropiane”, thuhet në njoftim.

Ndryshe Prokuroria Speciale e Kosovës, në dhjetor të vitit të kaluar kishte ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër 23 zyrtarëve policorë të Stacionit Policor për Mbikëqyrje të Kufirit “Qafë Morinë’’, në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë Kufitare dhe 12 zyrtarëve policorë të Stacionit Policor për Mbikëqyrje të Kufirit “Qafë Prush”.

Zyrtarët Policorë, sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale, ngarkohen për vepra penale “Marrja e ryshfetit” dhe “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

“Prokurori Speciale njofton se të akuzuarit në cilësinë e personave zyrtarë kanë marrë ryshfet nga qytetarët e Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, me rastin e kalimit në pikat kufitare ’Qafë Morinë’, me ç ‘rast kanë lejuar hyrjen e personave në territorin e Kosovës, pa i verifikuar dhe pa i kontrolluar nëse i plotësojnë kushtet ligjore për hyrje dhe dalje nga territori i Republikës së Kosovës, sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet në njoftim.

Prokuroria Speciale, kishte ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë edhe kundër dy zyrtarëve doganorë të Stacionit Policor për Mbikëqyrje të Kufirit “Qafë Prush”

Dy zyrtarët doganorë, njëjtë si 35 zyrtarë policorë, po akuzohen për marrje ryshfeti.

“Prokurori Speciale njofton se të akuzuarit në cilësinë e personave zyrtarë kanë marrë ryshfet nga qytetarët e Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, me rastin e kalimit në pikat kufitare ‘Qafë Prush’, me ç ‘rast kanë lejuar hyrjen e personave në territorin e Kosovës, pa i verifikuar dhe pa i kontrolluar nëse i plotësojnë kushtet ligjore për hyrje dhe dalje nga territori i Republikës së Kosovës, sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet në njoftim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore