Lajme

Aktakuzë kundër ish-ambasadorit Dedaj për kanosje ndaj presidentes Osmani


Gjergj Dedaj

Prokuroria Themelore në Prishtinë ngriti aktakuzë ndaj ish-ambasadorit të Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj, pas një kërcënimi publik ndaj presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, konfirmoi të mërkurën zëdhënësja e prokurorisë, Laureta Ulaj, ndërsa shtoi se aktakuza ndaj ish-diplomatit kosovar është ngritur për veprën penale “Kanosje”.

Në një emision televiziv muaj më parë, ish-ambasadori kosovar kishte përmendur Kanunin e Lekë Dukagjinit – një prej varianteve të së drejtës zakonore shqiptare – derisa fliste për rolin e presidentes Osmani në shkarkimin e tij nga posti i ambasadorit, ndërsa këtë veprim “nga e ashtuquajtura presidente” e kishte konsideruar “hakmarrje brutale politike”.

Bekim Kupina, këshilltar për media i Presidentes së Kosovës, kishte reaguar nëpërmjet një postimi në “Facebook” lidhur me pretendimet e ish-ambasadorit kosovar në Maqedoninë e Veriut, i cili, gjithashtu, gjatë dëshmisë para Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK), deklaroi se presidentja Osmani e shkarkoi nga pozita për “qëllime të pastërta politike”.

Kupina theksoi atëbotë se ish-ambasadori Dedaj nuk është shkarkuar për t’i hapur rrugë emërimit të bashkëshortit të presidentes, Prindon Sadriu, porse është hequr nga pozita për shkak të numrit të madh të shkeljeve, derisa kishte njoftuar se ish-ambasadori i Kosovës në Shkup është denoncuar për kërcënim publik ndaj presidentes Osmani dhe familjes së saj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore