Kosova

Aksioni “Pika”: Edhe dy zyrtarë doganorë të arrestuar


Foto nga IPK, Operacioni PIKA

Dy zyrtarë doganorë janë arrestuar të hënën në aksionin e madh të Inspektoratit Policor të Kosovës “Pika”, të mbështetur edhe nga Dogana.

Në këtë aksion i cili po kryhet në Gjakovë dhe Prizren, janë arrestuar edhe dhjetëra zyrtar policorë nën dyshimin se kanë kryer veprat penale “mitmarrje” dhe “shpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”.

Në një njoftim për medie Dogana e Kosovës ka treguar se Drejtori i Përgjithshëm i këtij institucioni menjëherë ka ndërmarrë veprimi për suspendimin e menjëhershëm të zyrtarve doganor të arrestuar dhe do të filloj procedimin administrativ disiplinor.

Dhjetëra zyrtarë policorë (raportohet se mbi 40, por ende nuk është zyrtare), përfshirë edhe komandantë, janë arrestuar këtë të hënë, në një operacion të gjerë policor, të mbështetur edhe nga Agjencia Kosovare e Inteligjencës, të quajtur “Pika”.

Arrestimet, kryesisht, janë kryer në qytetin e Gjakovës dhe në Prizren.

Veprat për të cilat po dyshohen zyrtarët e arrestuar janë “marrje e ryshfetit” dhe “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

“Në kuadër të këtij veprimeve hetimore dhe operative nga hetuesit e IPK-së pritet që fillimisht të shoqërohen e më pas edhe arrestohen dhjetëra zyrtarë policorë të dyshuar në këtë rast (kryesisht zyrtarë të policisë kufitare) si dhe disa zyrtarë doganorë”, ka njoftuar Inspektorati policor i Kosovës.

Sipas zëdhënësit për medie në IPK, Arbër Beka, në një prononcim për Albanian Post, operacioni policor ka nisur “në koordinim të plotë me Prokurorinë Speciale”.

“Operacionit të sotshëm i ka paraprirë një hetim rreth një vjeçar me dyshimin për përfshirje në aktivitete të kundërligjshme të një numri të zyrtarëve policorë”, ka deklaruar Beka.

Për aksionin – që po vazhdon – të policisë ka reaguar në Facebook edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

“Të gjithë ata që tentojnë apo e njollosin punën e ndershme dhe profesionale të zyrtarëve tjerë policorë, nuk kanë vend në Policinë e Kosovës”, ka shkruar Sveçla.

“Policia e Kosovës nuk do të jetë më asnjëherë vendi ku thyhet ligji e bëhet korrupsioni”.

“Qëllimi ynë kryesor është të garantojmë integritet dhe profesionalizëm brenda të gjitha agjencive që drejtojmë. Në kuadër të kësaj, kushdo që cenon integritetin e institucionit, padyshim do të përballet me drejtësinë sipas ligjeve në fuqi”, ka përfunduar ministri.

Foto na aksioni i IPK-së: Fotoja është marrë nga Agjencia e Lajmeve Ekonomia Online

Haxhiu: Përshëndetës aksionin, mbështetja e qeverisë e parezerëvë

Aksionin  e ka përshëndetur edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Ajo, duke shkruar në Facebook, ka thënë se më parë, kur ata nuk ishin në qeveri, ishte vetë ekzekutivi që ndalonte aksione të tilla.

“Në të kaluarën institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë nuk i janë lënë duart e lira për veprim. Në shumë raste ekzekutivi ka qenë pengesa kryesore në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit”, shkruan Haxhiu.

“Sot, kemi ende sfida mirëpo kemi vullnetin e hekurt për ta bërë vendin e jetueshëm për qytetarët. Përshëndes aksionin e përbashkët të institucioneve për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Mbështetja e qeverisë tonë në raste të tilla është e parezervë”.

Lajmi në përditësim…

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore