Lajme

Aksioni në veri, Sveçla: Shkatërruam dy laboratore droge, njëri prej të arrestuarve sulmoi Policinë e Kosovës muajin e kaluar


Xhelal Sveçla

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, njoftoi të dielen se Policia e Kosovës ka identifikuar dhe shkatërruar dy laboratore droge në Mitrovicë të Veriut me ç’rast është arrestuar edhe pronari i këtij laboratori.

Ai përmes një postimi në rrjetin social Facebook, tha se bashkëpronari i laboratorit tashmë të shkatërruar është personi i cili sulmoi Policinë e Kosovës në Urën e Bistricës muajin e kaluar ndërsa njëri nga të arrestuarit në këtë operacion është edhe vëllau i tij.

“Pavarësisht angazhimeve të policisë, kriminelët ende po mendojnë se mund të vazhdojnë me shkeljen e ligjit dhe kundërligjshëm të pasurohen në kurriz të sigurisë dhe mirëqenies së qytetarëve. Këto pra janë strukturat kriminale që po i mbrojnë zellshëm Vuçiç e Petkoviç. Çdo tentativë e Serbisë që përmes bandave kriminale të destabilizojë Kosovën është e kotë dhe e dështuar”, tha ai.

Ndryshe, Policia e Kosovës në fushën e parandalimit, hetimit dhe zbulimit të trafikimit me narkotikë edhe gjatë vitit të kaluar ka ndërmarrë disa operacione të suksesshme policore ku janë konfiskuar sasi e konsiderueshme e substancave të dyshuara narkotike, janë zbuluar laboratorë droge dhe janë arrestuar numër i madh i personave të dyshuar.

“Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar maksimalisht që jo vetëm me institucionet e sigurisë por edhe me gjithë shoqërinë të luftojë çdo fenomen negativ dhe të forcojë shtetin e ligjin”, ka shkruar ministri Sveçla.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore