Kosova

Aksioni i policisë në Mitrovicën Veriore, konfiskohen armë, drogë dhe aparate të kriptovalutave


Policia e Kosovës në orët e hershme të mëngjesit të së martës ka kryer një aksion në veri të Mitrovicës në tri lokacione, ku kanë konfiskuar drogë, armë dhe aparate të kripovalutave.

“Gjatë kontrollit në njërin prej lokacioneve, hetuesit kanë gjetur një pushkë automatike, dy fishekë, një radio për komunikim e njohur si Motorola, sasi të substancave narkotike si dhe katër aparate për kriptovaluta”, thuhet në njoftimin e policisë.

“Të gjitha gjësendet e gjetura janë konfiskuar në cilësi të provave materiale. Në lidhje me provat materiale, në cilësi të personit të dyshuar është duke u intervistuar një person mashkull kosovar”.

Sipas njoftimit, në konsultim me prokurorin, rastet armëmbajtje pa leje dhe posedim i substancave narkotike do të hetohen nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicë Jug, ndërsa aparatet për kriptovaluta janë konfiskuar nga ana e policisë në veri dhe do të procedojë tutje më këtë rast.

Deri më nëntë janar, 387 aparate për mihje të kriptovalutave janë sekuestruar në Leposaviq, Mitrovicë Jugore, Vushtrri dhe Prishtinë, pasi Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, njoftoi më katër janar se është vendosur që në nivel vendi të ndalohet prodhimi i kriptovalutave për ta kursyer energjinë elektrike.

Rizvnolli, madje kishte njoftuar se do të angazhohen të gjitha institucionet relevante për të identifikuar dhe ndaluar prodhimin e kriptovalutave.

Vendimi i Qeverisë për ndalimin e prodhimit të kriptovalutave, ka bërë që disa qytetarë të cilët i kanë prodhuar ato, të fillojnë t’i shesin pajisjet e tyre, nga të cilat kanë fituar mijëra euro në vitet e fundit.

Njoftimet për shitjen e pajisjeve po bëhen kryesisht në grupe të ndryshme në rrjetet sociale, ku zakonisht diskutohet vetëm për çështjen e kriptovalutave.

Varësisht nga pajisjet çmimet janë nga më të ndryshmet, duke filluar nga 1 mijë e 500 e deri në 8 mijë euro.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore