Lajme

Airbus dhe Air France shpallen të pafajshëm për vdekjen e 228 personave


Prodhuesi evropian i avionëve Airbus dhe linja ajrore franceze Air France, të cilët u gjykuan për “vrasje nga pakujdesia” për rrëzimin e fluturimit AF447 nga Rio de Zhaneiro në Paris, ku humbën jetën 228 persona, u shpallën të pafajshëm në një gjykatë në Paris.

Pothuajse 14 vjet pas aksidentit, gjykata e kundërvajtjeve në Paris i shpalli të pafajshme dy kompanitë, duke gjykuar se ishin bërë “gabime”, por “nuk kishte asnjë provë të besueshme të një lidhjeje shkak-pasojë” me aksidentin.

Pak pas orës 13:30, salla e madhe e gjyqit ishte e mbushur me anëtarë të familjeve të viktimave, përfaqësues të Air France dhe Airbus dhe gazetarë.

Pas aktgjykimit lirues, disa palë civile në mosmarrëveshje u ngritën nga vendet e tyre plotësisht të tronditur dhe më pas u ulën përsëri ndërsa kryetari i gjykatës vazhdoi të lexonte dhe në sallë u ngrit një heshtje e pakëndshme.

Më 1 qershor 2009, fluturimi i mbrëmjes AF447 nga Rio de Zhaneiro në Paris u rrëzua në Atlantik disa orë pas ngritjes, duke vrarë të gjithë 216 pasagjerët dhe 12 anëtarët e ekuipazhit.

Avioni A330 mbante shtetas të 33 vendeve, duke përfshirë 72 francezë dhe 58 brazilianë. Ky është aksidenti më i rëndë në historinë e kompanisë franceze.

Ekzaminimi i kutive të zeza të gjetura në një thellësi prej 3 mijë e 900 metra konfirmoi se problemet filluan kur sondat pitot ngrinë ndërsa avioni po fluturonte në një lartësi të madhe mbi ekuator, në mes të një zone të pambuluar nga radarët.

I destabilizuar nga pasojat e mosfunksionimit, njëri nga bashkëpilotët filloi të rrisë lartësinë dhe tre pilotët, duke mos kuptuar se çfarë po ndodhte, nuk arritën të rimarrin kontrollin e avionit, i cili filloi të fundosej dhe u rrëzua në oqean katër minuta e 23 sekonda më vonë.

Hetimet treguan se incidente të ngjashme me sonda kishin ndodhur tashmë para aksidentit.

Gjykata konstatoi se Airbus duhet të kishte zëvendësuar modelet e sondës pitot “AA”, të cilat ishin të prirura për ngrirje, në flotën A330-A340 dhe se “dështoi të shkëmbente informacion” me linjat ajrore.

Air France bëri dy lëshime në lidhje me mënyrën se si u njoftua piloti për dështimin e sondës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore